Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

IKSHP shënon 90 vjetorin me konferencë rajonale për Edukimin dhe Promovimin Shëndetësor

Prishtinë, 5 qershor 2015

Me rastin e 90 vjetorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot në Prishtinë i ka filluar punimet Konferenca e Parë Rajonale për Edukim dhe Promovim Shëndetësor: “Promovimi dhe Edukimi Shëndetësor: Nga politika në Praktikë, nga praktika në politikë”.

Konferenca është e organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim m Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ndërkohë që. ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të fushës së shëndetësisë publike dhe fushave të tjera mjekësore, po trajtojnë tema me interes nga fusha e edukimit dhe promovimit shëndetësor.

Pjesëmarrësit në këtë konference i ka përshëndetur edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se IKSHPK është institucion i lartë i rëndësisë jetike dhe ky jubile është një moment i veçantë për të shpalosur atë që falë këtij instituti dhe profesionistëve janë shënuar rezultate të rëndësishme në fushën e shëndetësisë.

Kryeministri Mustafa vazhdoi duke thënë se “Historiku i zhvillimit të Instituti është karakterizuar me aktivitete intensive shëndetësore, edukative dhe kërkimore. Ky zhvillim dëshmon vitalitetin e vet, ekspertizën, profesionalizimin dhe përgjegjësinë për ndërmarrjen e masave efikase për parandalimin e çfarëdo rreziku për shëndetin e popullatës”.

Kryeministri Mustafa tha se krahas zhvillimit ekonomik dhe arsimimit, shëndetësisë është prioritet në programin qeveritar. Ai tha se “Duke pasur parasysh rolin e tij në përgatitjen dhe implementimin e strategjive dhe politikave shëndetësore, si dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe përkujdesjen për shëndetin e popullatës në Kosovë, Qeveria do ta mbështes IKSHPK si një institucion strategjik me rëndësi të veçantë kombëtare, prandaj puna dhe projektet e këtij instituti, do të kenë përkrahjen e vazhdueshme”.

“Ne po punojmë me ngulm që Kosova të bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për t’u bërë pjesë e një koalicioni të gjerë shëndetësor botëror”, tha në fund të fjalës Kryeministri Mustafa.

Në cilësinë e nikoqirit, drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se vitet e 20-ta të shekullit të kaluar karakterizohen me gjendje të rëndë shëndetësore si në botë ashtu edhe në Ballkan. Në kuadër të adresimit të problemeve shëndetësore të popullatës së këtij rajoni, Fondacioni i shquar humanitar nga SHBA “Rockfeller” do të mbështesë themelimin e shërbimit Higjeniko – Epiddemologjik edhe në Pejë. Ky shërbim do të fillojë punën me 5 qershor të vitit 1925 dhe kjo datë konsiderohet se shënon fillin e veprimtarisë së Mjekësisë Preventive në Kosovë, prandaj shënohet si ditë festive e themelimit të IKSHPK-së.

Dr. Ramadani tha se “Sot kur po shënojmë këtë përvjetor në Kosovën e pavarur, duhet theksuar se qëllimi i shtetit të Kosovës është shëndeti i plotë për të gjithë si e drejtë themelore. Ne të gjithë po punojmë për të përmbushur misionin tonë për përparimin e kualitetit të jetës me parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit.

Ai tha se “ IKSHPK është institucioni më i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës që po zbaton me sukses strategjinë e shëndetit publik duke marrë masat higjenik0-sanitare, masat kundër epidemike, socialo mjekësore, promovimin dhe edukimin shëndetësor, edukimin dhe arsimimin shëndetësor, kontrollin e kualitetit të ujit, ajrit, ushqimit, Programin e Zgjeruar të Imunizimit, politikën shëndetësore dhe ekonomiken shëndetësore , informimin shëndetësor në tërë Kosovën po ashtu zhvillon punën hulumtuese-shkencore dhe organizon përkryerjen profesionale të punëtorëve shëndetësor.

Dr. Ramadani theksoi se “në një soliminitet si ky, në vazhdën e rezultateve të shënuara në shëndetësinë publike duhet përmendur se duke zbatuar programin e zgjeruar të imunizimit janë shënuar suksese evidente në luftimin e shumë sëmundjeve infektive. Fëmijët në Kosovë sot nuk sëmuren më nga sëmundjet ngjitëse nga të cilat kanë vdekur në të kaluarën, nuk kemi epidemi të fruthit, difterisë dhe të tetanosit neonatal. Sot në Kosovë është çrrënjosur paraliza e fëmijëve e shkaktuar nga virusi i polioz”, ai tha se këto suksese nuk do të arriheshin pa mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sigurisë së vaksinave të certifikuara nga OBSH dhe të përzgjedhura sipas këtyre kritereve nga Unicef…

“IKSHPK sot bënë mbikëqyrjen elektronike të sëmundjeve ngjitëse bazuar në plotni me rekomandimet e OBSH-së, ndërsa edhe pse akoma nuk jemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe OBSH-së, IKSHPK është kyçur dhe iu përmbahet me përpikëri kërkesave të OBSH-së në implementimin e Internacional Health Regulations sipas agjendës së paraparë për të gjitha shtetet anëtare”, ka thënë dr. Ramadani.

Punimet e konferencës dhe zotimet për bashkëpunim i kanë shprehur edhe përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane, Kadilika Dabisheci, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Salih Ahmeti, U.D. i Koordinatorit Zhvillimor të OKB-së, Alesandra Rocassalvo, Shefi e UNICEF-it në Kosovë Laila Omar Gad, zv.drejtori i ISHP të Shqipërisë Gentiana Qiriako, zv.drejtori i ISHP të Maqedonisë Aziz Pollozhani, Përfaqësuesi i Shkollës së Shëndetit Publik të Zagrbit, Aleks Dzakula etj.

Pas pjesës ceremoniale, para të pranishmëve është shfaqur një dokumentar për 90 vjetorin e IKSHP-së, kurse më pastaj, konferenca ka vazhduar me sesionet profesionale ku ekspertë të IKSHP-së, OBSH-së, dhe të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse po trajtojnë tema me interes si: politikat evropiane për shëndetin dhe mirëqenien; ngritjen e kapaciteteve në promovimin dhe edukimin shëndetësor; fuqizimin e shëndetit publik dhe promovimin shëndetësor në Kosovë; decentralizimin dhe centralizimin- rasti i Kroacisë; sëmundjet ngjitëse dhe jo-ngjitëse; mjedisi i komunitetit; shëndeti mendor, etj.

Konferenca do t’i vazhdojë punimet nesër në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike me prezantime të punimeve të ndryshme, ndërsa dita e tretë dhe përmbyllëse e konferencës do të zhvillohet në Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Pejë, ku do të bëhet edhe përmbledhja e konkluzioneve dhe rekomandimeve që do të dalin nga punimet tre ditore të Konferencës.