Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Informatë për media

”Në Laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sot më datë 19 shtator 2012,  në ora 12.30 është detektuar prania e antitrupave të klasës IgM kundër virusit të Nilit Perëndimor te pacientja N. H e hospitalizuar më 6 shtator 2012 në Klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. E njëjta është e transferuar nga Klinika e Neurologjisë me gjendje të rëndë klinike, pa vetëdije, tahikardike, temperaturë 38.4 C, e intoksikuar.  Ajo kishte vuajtur disa vite nga hipertensioni. Gjatë trajtimit të saj në QKUK janë ndërmarrë të gjitha masat protokollare, por pacientja fatkeqësisht ka përfunduar me vdekje më 14 shtator 2012”, ka bërë të ditur prof. dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së.
Ai dhe infektologia dr. Teuta Doda-Ejupi kanë bërë të ditur se janë edhe dy raste të dyshimta në infeksion me Virusin e Nilit Perëndimor me përfundim fatal, të cilat kanë qenë të hospitalizuara në Klinikën Infektive të QKUK, por  në aspektin diagnostik nuk është arritur të jepet rezultati përfundimtar për arsye të pamundësisë së marrjes së mostrave adekuate.
Dr. Ramadani tha se Instituti Kombëtar është në vazhdimësi në kontakt me Klinikën Infektive dhe është mobilizuar në tërë territorin e vendit dhe ka shtuar masat parandaluese.
Dr. Teuta Doda-Ejupi bëri të ditur se në Klinikën Infektive nuk ka raste tjera të dyshimta të raportuara.
Duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, IKSHP ka aktivizuar ekipet e epidemiologjisë të përcjellin situatën epidemiologjike dhe entomologjike në tërë territorin e vendit.
Ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të shtatorit në nivel qendror dhe periferik janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes.

Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes , ndërsa në konferencë u theksua se Ministria e Shëndetësisë ka plotësuar kërkesat për furnizim me material diagnostik duke ndarë mjetë shtesë për këtë qëllim, derisa Klinika Infektive është e furnizuar me terapi anti-virale, me të cilën trajtohen sëmundjet e shkaktuara nga viruset.

Në këtë konferencë, iu bë thirrje qytetarëve për kujdes dhe se nuk ka vend për panik, sepse  Virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri.

U bë e ditur po ashtu se IKSHP është në kontakte të vazhdueshme me zyrën e OBSH-së në Kosovë, e përmes saj edhe me Qendrën e OBSH-së në Kopenhagë dhe Gjenevë për të monitoruar situatën epidemiologjike të përhapjes së sëmundjes. Në rast të ndryshimit të situatës epidemiologjike me VNP do të informoheni në detaje.

Informata plotësuese:

Ethet e Nilit Perëndimor zhvillohen në 20 për qind të njerëzve të infektuar me VNP.
Simptomat përfshijnë temperaturë, dhembje koke, lodhje, dhembje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas herë skuqje të lëkurës dhe enjtje të gjëndrrave limfatike.

Simpromat e sëmundjeve të rënda ( të quajtura edhe sëmundje neuro-invazive si encefaliti i Nilit Perëndimor ose Poliemieliti i Nilit Perëndimor) përfshijnë: dhembje koke, temperaturë, shtrëngim në qafë, shtangie, dezoirientim, komë, dridhje, kovulzione, dobësim të muskujve dhe paralizë.

Sëmundja mund të shfaqet tek njerëzit e secilës moshë, mirëpo njerëzit mbi moshën 50 vjeçare dhe personat me imunitet të zbehur (p.sh. pacientët me transplantime) janë në rrezik të madh që të sëmuren rëndë pas infektimit me VNP. Periudha e inkubacionit është prej 3-14 ditë.

Porositë edukative:

•    Zvogëlimi i rrezikut ndaj bartjes përmes mushkonjave;
•    Parandalimi i  bartjes duke u siguruar ndaj pickimit të mushkonjave me përdorimin e rrjetave, repetentëve;
•    Përdorimi i rrobave të lehta me mëngë të gjata dhe shmangien e aktiviteteve të jashtëm në kohën e pickimit;
•    Përdorimi i dorëzave dhe mjeteve të tjera gjatë trajtimit të kafshëve të sëmura apo indeve të tyre gjatë therjes, zvogëlimi i bartjes së virusit prej kafshëve në njerëz;
•    Zvogëlimi i rrezikut përmes transfuzionit të gjakut dhe transplantimit të organeve, etj.

Më shumë informatë edukative lidhur me Virusin e Nilit Perëndimor mund të merren në:

www.niph-kosova.org