Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Informatë për opinion

Prishtinë, 6 qershor 2014

Me rastin e fatkeqësisë që ka ndodhur sot rreth orës njëmbëdhjetë në termocentralin Kosova A  në Obiliq, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës informon opinionin se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë pranuar 14 të lënduar, të gjithë jashtë rrezikut për jetë.  Dymbëdhjetë prej tyre janë lëshuar në shtëpi pas ofrimit të trajtimit mjekësor, derisa dy të tjerë janë nën observim mjekësor të vazhduar, por me prognozë të mirë. Ndërkohë,  numri i viktimave nuk është konfirmuar ende nga organet përgjegjëse.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani menjëherë pas fatkeqësisë ka vizituar të lënduarit në Qendrën Emergjentë të QKUK-së,  Shërbimin e Emergjencës të QKMF-së në Obiliq dhe Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, ku ka përgëzuar dhe falënderuar punonjësit shëndetësor të këtyre shërbimeve për reagimin profesional dhe të koordinuar , në të cilin morën pjesë edhe shërbimet emergjente të Komunës së Prishtinës dhe të komunave përreth.

Gjithashtu, MSh falënderon edhe Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë për gatishmërinë e ofruar për ndihmë të menjëhershme.

Shërbimet përkatëse mjekësore vazhdojnë të jenë në gjendje të gatishmërisë së lartë deri në sanimin e plotë të situatës në vendin e aksidentit.