Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Iniciativa e Ministrit Ismaili për Prishtinën e shëndetshme mbështetet edhe nga shoqëria civile

Prishtinë, 4 maj 2018 

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili së bashku me Grupin e ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Zyra Regjionale për Evropë, sot kanë zhvilluar takim pune me  përfaqësues të shoqërisë civile, ku është diskutuar rreth inicimit të Republikës së Kosovës në qasjen e qyteteve të shëndetshme, në të cilën do të përfshihen Komuna e Prishtinës, Obiliqit dhe Ferizajt. 

Ministri Ismaili pasi informoi të pranishmit për hapat që janë ndërmarrë për nisjen e procesit të anëtarësimit të tri qyteteve të Kosovës në Rrjetin Evropian të Qyteteve të Shëndetshme, duke theksuar se  “qëllimi i kësaj nisme është ndërtimi i një lidhjeje të fuqishme mes Ministrisë, Komunës dhe OBSh-së, ashtu që të bashkëpunohet në vazhdimësi për një mjedis sa më të pastër, dhe për një jetesë sa më të shëndetshme të qytetarëve”. 

Ai më tutje ka shtuar se “për të realizuar këtë projekt të rëndësisë së madhe, e që për qëllim ka ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, është e domosdoshme gjithë përfshirja e institucioneve qeveritare, lokale, të shoqërisë civile, por edhe të vetë qytetarëve. 

Ekspertët e OBSh-së, kanë vlerësuar se koncepti i qyteteve të shëndetshme është tejet i nevojshëm për Kosovën, në këtë rast për tri komunat e përfshira, duke theksuar se mbështetja e OBSh-së do të jetë e pa rezervë në këtë drejtim. 

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, e kanë mirëpritur nismën për krijimin e një platforme, e cila do të përfshijë të gjithë hapat që do të ndërmerren për të arritur në shkallën e duhur për një ambient të pastër në këto komuna. 

Ministri Ismaili me delegacionin e OBSh-së ka takuar edhe Kryeparlamentarin, Kryeministrin, kreun e Komunës së Prishtinës dhe institucione të tjera qendrore e lokale të cilat i kanë dhënë mbështetje kësaj iniciative.