Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Java Botërore e Vetëdijesimit për Antibiotikë shënohet me thirrjen për kujdes në përdorimin e tyre

Prishtinë, 18 tetor 2016

Me gjithë faktin që niveli i përdorimit të antibiotikëve në Kosovë ka shënuar rënie në dy –tre fundit në Kosovë, përdorimi i tyre mbetet ende i lartë dhe kjo rrit rrezikun për rezistencë antimikrobiale. Një trend i rritjes së përdorimit të antibiotikëve dhe rezistencës është shënuar edhe në dimensione globale, kështu që, mikrobiologët rekomandojnë përdorimin me kujdes të tyre.

Kështu u tha sot në shënimin e Javës Botërore të Vetëdijesimit për Antibiotikët, që u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, mbështetur nga Zyra Evropiane e OBSh-së në Kopenhagë.

Sipas një prezantimi të bërë rreth përdorimit të antibiotikëve në Kosovë, u bë e ditur se përdorimi i tyre në Spitalet rajonale ka shënuar rënie nga 43% më 2014 në 39% më 2015 dhe 38.4 % më 2016 tek të rriturit, ndërkohë që, mbetet ende i lartë përdorimi i antibiotikëve parenteralë sidomos te fëmijët në Kujdesin Parësor ku sillet në rreth 58%.

Izet Sadiku, Zëvendësministër i Shëndetësisë tha se duke njohur faktet rreth përdorimit të antibiotikëve në Kosovë dhe rezistencës mikrobiale, MSh ka ndërmarrë hapa për zvogëlimin e përdorimit të tyre, duke krijuar edhe Strategjinë Antimikrobiale dhe Planin e Veprimit, ndërkohë që ka filluar edhe procesin e hartimit të protokolleve dhe udhërrëfyesve klinikë që do të ndikojnë në përshkrimin racional të antibiotikëve. Ai tha se përdorimi lartë i antibiotikëve dhe rreziku nga rezistenca antimikrobiale përveç dimensionit shëndetësor, kap edhe dimensionin konik me që krijon shpenzime ekonomike për sistemet shëndetësore kudo dhe, gjithashtu, edhe në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se rezistenca antimikrobiale paraqet një rrezik global, ndërsa qëllimi i shënimit të Javës Botërore është ngritja e ndërgjegjësimit për përdorim racional të antibiotikeve dhe zvogëlimin e rrezikut të rezistencës mikrobiale.

Shefi i OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, ka bërë një përshkrim të veprimeve të ndërmarra në nivel botëror nga kjo organizatë për uljen e përdorimit të antibiotikëve dhe zvogëlimit të rezistencës antimikrobiale, përfshirë edhe Deklaratën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që u kërkon qeverive të gjitha vendeve që të zbatojnë qasje aktive dhe të koordinuar në zvogëlimin e rezistencës antimikrobiale.

Ai theksoi barrën e rëndë që mund të shkaktojë rezistenca antimikrobiale deri më 2050 ku numri i vdekjeve brenda vitit mund të arrijë në 10 milionë (apo në çdo 3 sekonda nga një vdekje, ndërkohë që barra ekonomike mund të shkojë në 100 trilionë dollarë amerikanë.

Profesori i Mikrobiologjisë Lul Raka ka bërë një prezantim gjithëpërfshirës për rezistencën mikrobiale në Kosovë sfidat dhe pasojat duke theksuar se antibiotikët janë armë për shpëtim në masë, por që përdorimi i pakontrolluar po bëhet tendencë e rrezikshme në nivel global.

Duke bërë një krahasim rreth statusit aktual të shteteve të Ballkanit Perëndimor rreth rezistencës antimikrobiale, ai theksoi se Kosova qëndron më mirë se Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, sa u përket pesë elementeve: krijimit të pikave fokale të kontaktit, mekanizmin koordinues ndër-sektorial, Strategjisë dhe Planin e Veprimit për Rezistencën Antimikrobiale, fondet e dedikuara për zbatim dhe zbatimin e Planit të veprimit.

Por, gjithashtu tërhoqi vërejtjen për investimet e ulëta në këtë drejtim dhe përdorimin e lartë të antibiotikëve, sidomos në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe shkrimin e tyre me emra të mbrojtur.

Në këtë takim profesional, me prezantime e ligjërata në fushën e antibiotikëve dhe rezistencës antimikrobiale kanë kontribuar edhe Sjoukje Woudt dhe Janneke van Heereveld, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Holandës; Arsim Kurti-IKSHP, Arianti Jakupi-ekspert i farmacisë farmaceutike dhe pjesëmarrës të tjerë.