Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kërkohet më shumë punë në Kujdesin Parësor Shëndetësor

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, ka kërkuar që niveli i angazhimeve dhe cilësia e shërbimeve shëndetësore në Kujdesin Parësor të ngrihet, sepse, ka vlerësuar ai, është e pa tolerueshme që qendrat e mjekësisë familjare sot të jenë më të dobëta për kah cilësia e shërbimeve se sa shtëpitë e shëndetit para disa viteve.

 

Duke iu referuar raporteve të ndryshme lidhur me gjendjen në shëndetësi, Tolaj, ka theksuar se edhe raporti i fundit i EPTISA evidenton shumë mungesa në sistemin shëndetësor, sidomos në aspektin e menaxhimit dhe kapaciteteve profesionale.

Ai ka thënë se Mjekësia familjare nuk mund të funksionojë si një “mbretëri në vete”, por duhet të funksionojë në ndërlidhje edhe me pjesët e tjera të sistemit.

Nëse nuk ndryshon qasja, ka thënë dr. Tolaj, nuk do të mjaftojë edhe dyfishimi i buxhetit të shëndetësisë.

 

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH ka thënë se Mjekësia familjare është në thelb të reformave që do të zhvillohen në shëndetësi, por ka theksuar se kjo pjesë duhet të funksionojë si një hallkë e shëndetit publik.

 

Dr. Arbëresha Turjaka, koordinatore për Kujdesin primar Shëndetësor në MSH, ka prezantuar objektivat e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2010-2014 dhe planin e veprimit, derisa pas prezantimeve të indikatorëve të shërbimeve shëndetësore nga dr. Violeta Xërxa, është zhvilluar debat në interes të avancimit të politikave shëndetësore në KPSH dhe janë dhënë rekomandimet lidhur me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në këtë nivel.