Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli kërkon masa ndëshkuese për shkelësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Prishtinë, 26 dhjetor 2013

 

Këshilli Ndërministror për Kontrollin e Duhanit mbajti sot takimin e radhës, në të cilin u analizua ecuria e deritanishme e zbatimit të këtij ligji, i cili ka hyrë në fuqi më 22 maj 2013.

 

Në këtë takim të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të kryesuar nga Kryesuesi i Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit, Ministri Ferid Agani, inspektoratet përgjegjëse për zbatimin e ligjit, kanë raportuar për inspektimet e kryera deri më tani, masat e shqiptuara ndaj shkelësve të Ligjit dhe nevojën e fuqizimit të masave të kontrollit të duhanit.

 

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile të përfaqësuar nga KADC kanë raportuar për aktivitetet e përbashkëta të organizuara në shtatë qendrat rajonale të Kosovës në frymën e edukimit dhe vetëdijesimit kundër duhanit, me ç’rast janë themeluar edhe shtatë grupe koordinuese në nivelet lokale me qëllim të fuqizimit të masave të kontrollit të Duhanit.

 

Në këtë takim, Ministri Agani i ka njoftuar pjesëmarrësit edhe për takimin me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor Enver Peci dhe zotimin e tij se lëndët e dërguara në Gjykatë do të ekzekutohen.

 

Inspektorati Sanitar njoftoi se deri tash janë kryer 795 inspektime dhe 44 lëndë janë proceduar në gjykatë, derisa Inspektorati Shëndetësor ka raportuar për 510 inspektime, prej të cilave 98 kanë qenë tematike për duhanin dhe shqiptimin e 12 gjobave. Në takim edhe inspektoratet e tjera kanë raportuar për masat e ndërmarra nga ana e tyre  dhe  për masa të tjera fuqizuese të zbatimit të ligjit.

 

Gjithashtu, u theksua se inspektimet sikur ai i zhvilluar dy ditë më parë nga Inspektorati Sanitar në orët e mbrëmjes në Prishtinë ku brenda një nate janë inspektuar 61 subjekte janë shqiptuar 4 gjoba, do të vazhdojnë në qytetet ku numri i shkeljeve është më i theksuar, derisa  tashmë është krijuar edhe pasqyra për lokalet apo subjektet të cilat po e shkelin ligjin, ndaj të cilave do të merren masat sikur e parasheh ligji.