Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli kundër Etheve Hemorragjike shqyrton situatën epidemiologjike dhe masat e ndërmarra

Këshilli vlerësoi se masat që janë duke u ndërmarrë për EHCC kanë ndikuar që deri tash, përkundër një numri të konsideruar të thumbimeve të rriqrave,  të ketë vetëm tre raste pozitive të kësaj sëmundjeje, prej të cilave dy raste e kanë kaluar sëmundjen pa probleme, derisa rasti i tretë është në përmirësim e sipër dhe nën përkujdesjen mjekësore të stafit të Klinikës Infektive të QKUK-së

 Prishtinë, 4 qershor 2014

 Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani, u mbajt sot takimi i Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo.

Në këtë takim është raportuar për situatën epidemiologjike në vend sa u përket EHCC dhe masat që janë duke u zbatuar në komunat më të ekspozuara nga rastet e thumbimit të rriqrave.

Këshilli vlerësoi se masat që janë duke u ndërmarrë për EHCC kanë ndikuar që deri tash, përkundër një numri të konsideruar të thumbimeve të rriqrave,  të ketë vetëm tre raste pozitive të kësaj sëmundjeje, prej të cilave dy raste e kanë kaluar sëmundjen pa probleme, derisa rasti i tretë është në përmirësim e sipër dhe nën përkujdesjen mjekësore të stafit të Klinikës Infektive të QKUK-së.

Deri tash, janë regjistruar 1639 thumbime, shumica në komunën e Malishevës, në laboratorët e IKSHP-së janë testuar 47 rasteve të dyshuara, prej të cilave vetëm 3 kanë rezultuar pozitive.

Në Këshill u tha se në bashkëpunim midis IKSHP-së dhe Komunës së Malishevës të gjitha zonat e kësaj komune dhe të gjitha shkollat janë mbuluar me aktivitete edukative dhe vetëdijesimi për mbrojtja nga sëmundja, derisa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë dezinfektimin e fshatrave më karakteristike për EHCC, ndërkohë që po vazhdon dezinfektimi edhe nga kompania e kontraktuar midis Komunës së Malishevës dhe kompanisë së kontraktuar prej tyre për këtë qëllim.

Përveç dezinsketimit të hapësirave të hapura, ku në proces të dezinfektimit janë edhe disa fshatra të kësaj komune dhe oborreve, dezinfektimi dhe dezinfektimi do të vazhdojë edhe nëpër shtalla, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut të infeksionit.

Megjithëse, nuk ka pasur asnjë rast të vdekjeje gjatë këtij viti me EHCC, Këshilli Ndërministror ka kërkuar që aktivitetet të intensifikohen edhe më tej në terren, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që t’i zbatojnë masat e kujdesit, duke bashkëpunuar me autoritetet lokale dhe qendrore dhe duke ndihmuar në eliminimin e rrezikut përmes pastrimit të oborreve, kujdesit gjatë punës në fusha e ara dhe lajmërimit te mjeku në rastet e para që thumbohen nga rriqrat.

Me respekt,

Divizioni i Komunikimit me Publikun

Tel: 038 200 24 131

038 200 24 020