Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli Ndërministror bën thirrje për kujdes të mëtejmë kundër Etheve Hemorragjike

Prishtinë, 15. 07. 2014

Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani, njëherësh kryesues, u mbajt takimi i radhës i Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo.

Në këtë takim u raportua për situatën epidemiologjike sa u përket Etheve Hemorragjike me ç’rast u tha se përkundër thumbimeve të shumta të rriqrave në zonat endemike, numri i rasteve pozitive në këtë sëmundje për këtë vit është 5, që është numër më i vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në këtë takim u raportua për përfundimin e procesit të spërkatjes selektive nga ajri të disa zonave në komunën e Malishevës, procesion e dezinsektimit dhe masat e tjerra të ndërmarra nga autoritetet qendrore dhe ato lokale, në ballafaqimin me këtë problematikë.

Ndonëse në këtë takim u raportua se për fat të mirë, dhe ndër të tjera edhe për shkak të angazhimeve të shumë- anshme, nuk ka pasur sivjet asnjë viktimë nga Ethet Hemorragjike, qytetarëve iu bë thirrje që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm edhe javët në vijim dhe të zbatojnë bashkë me autoritetet masat mbrojtëse, me qëllim që të mbrohet jeta e qytetarëve të zonave më problematike siç është Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.