Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli Ndërministror diskuton zbatimin e Planit operativ 2016 kundër Etheve Hemorragjike

Prishtinë, 7 mars 2016

Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani, sot në Prishtinë u mbajt takimi i radhës i Këshillit Ndërministror për Parandalimin dhe Luftimin e Etheve Krime Kongo në Kosovë.

Në këtë takim janë shqyrtuar aktivitetet e parapara për këtë viti nga të gjitha ministritë, agjencionet dhe autoritetet komunale të komunave endemike për këtë sëmundje, të parapara me Planin operativ për parandalimin dhe luftimin e EHKK 2016, me qëllim të ballafaqimit sa më të suksesshëm me raste eventuale të sëmundjes së bartur përmes pickimit të rriqrave.

Ministri Rrahmani tha se aktivitetet e sivjetme, të parapara në Planin operativ shënojnë vazhdimësinë e aktiviteteve të ndërmarra nga Këshilli gjatë dy viteve të kaluara, që kanë rezultuar me një përgjigje adekuate dhe shmangien e viktimave në mesin e të pickuarave.

Në këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit kanë raportuar për fillimin e aktiviteteve parandaluese, secili nga resori që përfaqëson, ndërkohë që është mirëpritur fakti që aktivitetet e parapara në Planin operativ, është vendosur të fillojnë një muaj më herët se që ishte e paraparë, për shkak se dimri i butë, konsiderohet prej ekspertëve si një rrethanë që mund të provojë numër më të madh të pickimeve të rriqrave gjatë këtij viti.

Në këtë takim u bë e ditur se në komunat endemike për EHCC si Malisheva, Rahoveci, Suhareka e Klina kanë filluar aktivitetet e sensibilizimit të popullatës për masat mbrojtëse, ndërsa po bëhen përgatitjet edhe për fillimin e repelimit të kafshëve dhe aktivitetet e tjera të dezinsektimit selektiv.

Ndërkohë, në takim u tha se Klinika Infektive ka sasi të mjaftueshme të Ribavirinës në rast se kjo terapi do të jetë nevoja t’i jepet ndonjë pacienti.

Qytetarëve, u është bërë thirrje që të zbatojnë masat parandaluese të përgjithshme dhe specifike: të jenë të kujdesshëm gjatë punës në fusha e ara duke bartur veshmbathje të gjata, mirëmbajtjen e oborreve dhe kopshteve, kositjen e tyre me kohë, fëmijët të mos lihen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe të kontrollohen në mbrëmje nga prindërit nëse u është ngjitur ndonjë rriqër…, ndërkohë që të lajmërohen në qendrën më të afërt shëndetësore në rast se pickohen nga rriqrat, etj.