Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli Ndërministror EHKK raporton për situatë të qetë në zonat endemike

Në mbledhjen e Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike Krime Kongo në Kosovë, u raportua se përkundër rasteve të pickimeve në komunat më endemike për Ethe hemorragjike si Malisheva, Rahoveci, Suhareka e Klinë, është shënuar vetëm një rast me Ethe hemorragjike, i cili është trajtuar me sukses.

Prishtinë, 01 korrik 2015

Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, u mbajt takimi i Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike Krime Kongo në Kosovë.

Në këtë takim, përfaqësues nga ministritë e caktuara, agjencionet që përfaqësohen në Këshill dhe përfaqësuesit e komunave endemike, raportuan për masat që janë ndërmarr sivjet me qëllim të ballafaqimit sa më të suksesshëm me raste eventuale të Etheve hemorragjike Krime Kongo.

Ministri Rrahmani tha se fakti që në këtë vit kemi vetëm një rast të infektimit, tregon se strategjia e përdorur nga Këshilli, për luftimin e Etheve hemorragjike ka qenë efikase.

“Ne duhet të vazhdojmë punën tonë duke i përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të luftuar ethet hemorragjike, me qëllim që qytetarët e komunave endemike të mund të lëvizin dhe kryejnë aktivitetet e tyre të sigurt”, tha Ministri Rrahmani.

Në bazë të raportimit të dr. Jusuf Dedushajt përfaqësues i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, lidhur me situatën epidemiologjike në komunat më endemike për Ethe hemorragjike si Malisheva, Rahoveci, Suhareka e Klinë, u tha se për këtë vit, janë shënuar 2 300 pickime, me vetëm një rast me Ethe hemorragjike, i cili është trajtuar me sukses.

Në takim u raportua për aktivitetet e edukimit dhe vetëdijesimit shëndetësor të ndërmarra në komunat më të rrezikuara nga ana e IKSHP-së, masat e repelimit të shtazëve dhe dezinsketimit të shtazëve nga ana e Agjencionit të Ushqimit e Veterinës, aktivitetet e dezinsektimit selektiv nga Komuna e Malishevës dhe Rahovecit, si dhe aktivitetet e tjera të ndërmarra edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministria e Bujqësisë.

Ndër të tjera, në takim u bë e ditur se MSh dhe SHSKUK patën siguruar terapi për raste eventuale të sëmundjes si dhe Klinika Infektive ka kapacitetet e caktuara për të trajtuar në mënyrë specifike rastet eventuale të të prekurve nga Ethet hemorragjike.

Përkundër raportit se numri i pickimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është lehtësisht më i vogël, dhe ka pasur një rast të etheve hemorragjike, Këshilli u pajtua që nga Qeveria, të kërkoj buxhet shtesë për të përditësuar strategjinë në luftimin e Etheve hemorragjike e cila do të përgatitet për vitin që vjen.