Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli për themelimin e Fondit të Sigurimeve i drejtohet Qeverisë me kërkesën që të marr vendim për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore

Prishtinë, 30 qershor 2016

Në takimin e sotëm të kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, Këshilli përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore vendosi t’i dërgojë Qeverisë kërkesën për marrjen e vendimit për fillimin e grumbullimit të premiumeve.

Ministri Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë, bashkë me disa ministri dhe agjensione të tjera, i ka kryer përgatitjet teknike që, pas marrjes së vendimit nga ana e ekzekutivit të vendit, të mund të fillohet me mbledhjen e premiumeve.

“Ne si Ministri e Shëndetësisë i kemi kryer përgatitjet tona, ndërsa i takon Qeverisë që t’i vlerësojë proceset që i kemi zhvilluar dhe nivelin e përgatitjeve, për të sjellë pastaj vendimin për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore”, tha Ministri Rrahmani.

Anëtarët e Këshillit u bëjnë thirrje qytetarëve të vendit , për të cilët do të ketë një fushatë informuese, që të njoftohen përmes institucioneve përgjegjëse për procesin e sigurimeve shëndetësore, duke shfrytëzuar mekanizmat e MSh-së dhe të Agjensionit të Financimit Shëndetësor për të marrë informata burimore rreth procesit, bashkëpunim dhe mirëkuptim për seriozitetin e këtij procesi dhe, gjithashtu, u bëhet thirrje individëve dhe subjekteve të ndryshme politike, që të mos e keqpërdorin ndjeshmërinë e këtij procesi të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit, për të shkaktuar paqartësi dhe dezinformim rreth sigurimeve shëndetësore.