Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Këshilli përgatitor diskuton planin e veprimit për mbledhjen e kontributeve për sigurimet shëndetësore

Prishtinë, 9 mars 2016

Kryesuar nga Ministri Imet Rrahmani, sot u mbajt takimi i Këshillit Përgatitor për Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Në këtë takim, janë prezantuar aktivitetet e kryera gjatë fazës së fundit të përgatitjeve për fillimin e mbledhjeve të premiumeve (kontributeve) si dhe funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ministri Rrahmani i ka njoftuar anëtarët e Këshillit për miratimin nga ana e Qeverisë të Rregullores për Këshillin Përgatitor të FSSH-së, takimet me ekspertët vendor e ndërkombëtar lidhur me fillimin e mbledhjes së premiumeve, dhe për rekomandimet e tyre të cilat janë futur në planin aksional

Në këtë takim, janë prezantuar pakot e veprimeve të ndërmarra deri tash në fushën e përgatitjeve për mbledhjen e premiumeve dhe hapat e tjerë për skemën e sigurimeve shëndetësore, nxjerrjen e akteve nënligjore të domosdoshme dhe atyre që duhet të nxirren, sfidat aktuale, metodologjinë e përcaktimit të çmimit të shërbimeve, sistemin e Diagnozave të lidhura me grupin e sëmundjeve i njohur si DRG, prezantimin e softwerit lidhur me komponentët e sistemit të Informimit shëndetësor për sigurimet shëndetësore, etj.

Në këtë takim është diskutuar rreth këtyre hapave të ndërmarrë dhe planit të aksionit, i cili përveç tjerash, para fillimit të mbledhjes së kontributeve parashikon edhe një marketing social, me qëllim që qytetarët të njoftohen për mbledhjen e premiumeve, kohën kur do të bëhet kjo, përfitimet e skemës së sigurimeve shëndetësore, etj.