Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Klinika e Pediatrisë me hapësira të dekoruara për fëmijë

Klinika e Pediatrisë me hapësira të dekoruara për fëmijë

Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është përuruar projekti për dekorimin e hapësirave në
muret dhe hapësirat e tjera, donacion nga Organizata Care for Kosova Kids. UD.
Drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Dr. Muharrem Avdiu, tha se pas investimit të
bërë nga kjo organizatë Klinika e Pediatrisë ka pamje më të mirë dhe më të
pranueshme për fëmijët që kërkojnë mjekim në këtë klinikë.

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, fjalë rasti mbajti Dr. Shemsi Veseli, i cili tha se është obligim i yni që të
krijojmë ambient më të ngrohtë dhe të pranueshëm për fëmijët që trajtohen në
këtë klinikë. “Ministria e Shëndetësisë në kuadër të strategjisë së saj ka edhe
kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës, ky është shembull i sensibilizimit dhe
ndihmesës dhe në emër të Ministrisë i falënderojë donatorët për investimin e
bërë”, u shpreh Zv. Ministri Veseli.

Dr. Nijazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së, vlerësoi kontributin e dhënë nga donatorët, duke shtuar se investimi i bërë ka
vlerë për Klinikën e Pediatrisë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të
bashkëpunuar edhe më tutje me donatorë të ndryshëm, në të mirë të përmirësimit
të kushteve të përgjithshme për trajtim të pacientëve.

Dr. Mazllum Belegu, i angazhuar në projektin e donatorëve, tha se është fat i madh për Klinikën e Pediatrisë që ekzistojnë
njerëz të tillë që ndihmojnë dhe kontribuojnë për fëmijët që mjekohen në këtë
klinikë. Ai tha se nga donatorët ka premtime se donacionet do të vazhdojnë edhe
në të ardhmen.