Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Koalicioni antiduhan mban punëtori me inspektorët sanitarë për zbatimin e ligjit

alt

Ishte konstatim i përbashkët se Ligji për Kontrollin e Duhanit është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët e vendit si një instrument mbrojtës i shëndetit të tyre nga pasojat shkatërruese  shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore dhe u vlerësua lart  kjo gatishmëri e qytetarëve dhe bizneseve për të qenë së bashku kontribuues aktiv në zbatimin e  ligjit.

Në këtë punëtori, janë zbërthyer situatat e mundshme praktike që  lidhen me zbatimin e ligjit, detaje të së cilit janë elaboruar së bashku me inspektorët si dhe janë dhënë instruksione të qarta për veprimet e mëtejme, të cilat do ta fuqizojnë edhe më tej zbatimin e ligjit.

Po ashtu, materiale të ndryshme me shenjëzimet për ndalesat e duhanit në vendet publike të mbyllura,  vendet e punës dhe mjetet e transportit  publik, vlerën e gjobave dhe broshura informative, u janë shpërndarë inspektorëve, për t’i shpërndarë me rastin e inspektimeve në biznese dhe lokaleve të ndryshme.
Materiale të tilla janë shpërndarë edhe javën e kaluar dhe të njëjtat mund edhe të shkarkohen nga ueb faqja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe KADC-së. (www.msh.rks-gov.net dhe www.kadc-ks.org).

Nga kjo punëtori në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të MSH-së, OBSH-së, AUVK-it dhe KADC-së…,  u është bërë thirrje qytetarëve dhe pronarëve të bizneseve dhe kafe bareve të ndryshme që të vazhdojnë ta zbatojnë ligjin, duke rikujtuar në të njëjtën kohë se pas kësaj faze të parë të informimit rreth ligjit, sanksionet e parapara me ligj do të zbatohen për ata që nuk e respektojnë atë.

Takime dhe punëtori të tilla edhe me inspektorate të tjera dhe subjekte të tjera do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.