Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komiteti Nacional për Sëmundje Ngjitëse rekomandon marrjen e Vaksinës kundër Gripit A H1N1

Komiteti shpjegon se vaksina rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe EMEA (Agjensioni Evropian për Produkte Medicinale).

Dhënia e vaksinës nuk preferohet te ata që kanë kundër-indikacione apo sëmundje të ndryshme alergjike apo të tjera , për të cilat duhet konsultuar me mjekun.

Në këtë takim, Komiteti ka kërkuar që medikamenti Tamiflu të jepet te pacientët e dyshuar për Grip A H1N1 edhe nga infektologët rajonalë dhe në bazë të rrethanave të krijuara epidemiologjike, që nënkuptojnë rritjen e numrit të rasteve në komuna , ku mjekët në komuna do të mund të autorizoheshin që edhe ata ta  japin Tamiflunë.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që prej kësaj jave do të raportojë në baza javore për rastet e Gripit A H1N1 dhe Gripit sezonal, ndërsa Qendra Kombëtare për Grip, do t’i diagnostikojë vetëm rastet e rënda klinika dhe ato të dërguara nga klinicistët.

Komiteti ka kërkuar që të vazhdojë dezinfektimi i rregullt i të gjitha shkollave fillore dhe të mesme dhe dezinfektimi i institucioneve shëndetësore.

Sa i përket situatës epidemiologjike, deri tash në Kosovë ka pasur 317 raste të dyshimta, prej të cilave 98 raste janë konfirmuar si A H1N1 pozitive dhe 21 raste të Gripit Sezonal.

Në Klinikën Infektive në njëzet e katër orët e fundit janë hospitalizuar 20 raste të dyshuara në Gripin e derrave dhe Gripin sezonal për shëndetin e të cilëve po përkujdesen personali aty.

Komiteti Nacional i Kosovës për Sëmundje Ngjitëse u ka bën thirrje qytetarëve të vazhdojnë t’i zbatojnë rekomandimet dhe këshillat e dhëna nga institucionet.