Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komiteti Nacional për sëmundje ngjitëse shqyrtoi situatën rreth Gripit A H1N1

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së ka bërë të ditur se që nga 15 korriku e deri më tash në Kosovë janë regjistruar 556 raste të dyshimta në grip dhe në Qendrën Kombëtare të Gripit janë diagnostikuar 179 raste pozitive në A H1N1.

Deri sot, janë raportuar 10 raste me vdekje (exitus letalis).

Ramadani ka thënë se rastet individuale të konfirmuara të A H1N1 të nxënësve në shkolla nuk paraqesin indikacion  për ndërprerjen lokale të mësimit.

Dr. Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive, ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit në këtë klinikë janë hospitalizuar 14 raste të dyshimtë në Grip, por që sipas tij, krahasuar me javën e kaluar, këtë javë ka pasur një rënie të fluksit. Ai e ka përshkruar si stabile gjendjen e të prekurve nga Gripi.

Në këtë takim nga dr. Isme Humolli (IKSHP) u bë e ditur se gjatë ditës së sotme ka pasur një rritje të fluksit të mantelbardhëve për vaksinim, por edhe të vetë qytetarëve të cilët në IKSHP kanë kërkuar që të vaksinohen kundër A H1N1.

Komiteti ka vlerësuar se procesi i vaksinimit kundër  AH1N1 po stabilizohet, po përmirësohet edhe sistemi i raportimit nga terreni, derisa me ndihmën e OBSH-së, janë siguruar reagjensat që Qendra Kombëtare për Grip të mund të punojë analizat edhe për dy tre javët e ardhshme pa probleme.

Komiteti ka përkrahur shpërndarjen dhe ordinimin e mëtejmë të Tamiflusë nga infektologët rajonalë dhe specialistët si dhe është shtruar nevoja që të autoambulancat mobile të pajisen me boca për oksigjenim me rrjedhje apo kapacitetet me të larta.

Komiteti u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë në zbatimin e masave preventive me qëllim që të përballohet sa më lehtë pandemia e gripit A H1N1, pasi që gjendja është serioze dhe kërkon përkushtim shtesë të gjithëve.