Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komunikatë për media

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, ka nënshkruar të martën marrëveshje bashkëpunimi me gjashtë kryetarë të komunave – Dragash, Malishevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec dhe Suharekë – për të përkrahur Kujdesin Parësor Shëndetësor.

 

Kjo marrëveshje është vazhdimësi e marrëveshjes së vitit të kaluar dhe ka për qëllim përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve në institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor për të gjithë qytetarët në nevojë.

 

Marrëveshja në fjalë, që është mundësuar përmes huamarrjes nga Banka Botërore, përkufizon obligimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Komunave gjatë periudhës së realizimit të skemës së pagesës – sipas përformancës për kapitacion.

 

Gjashtë komunat pilotuese do të kujdesën për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave sa i përket përformancës së institucioneve komunale të Kujdesit Parësor Shëndetësor, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të bëjë vlerësimin e arritjeve si parakusht për funksionimin e marrëveshjes.

 

Për vlerësimin e arritjeve të Komunës, si parakusht për funksionimin e skemës së pagesës sipas performancës për kapitacion, dhe në përputhje me kriteret dhe formulën e paraparë në doracak operativ, numri i pacientëve të regjistruar shumëzohet më 2.40 euro. Këto mjete do t’u jepen Qendrave të Mjekësisë Familjare.

 

Në përputhje me kriteret dhe formulën e paraparë, ky projekt parasheh që t’ua transferojë rreth 700 mijë euro institucionve të Kujdesit Parësor Shëndetësor në këto komuna.

Objektiv i Ministrisë së Shëndetësisë është që përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare të kontribuojë në zhvillimin e shtyllave kryesore për fillimin e Sigurimeve Shëndetësore Sociale dhe forcimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor.

 

Obligimet e përshkruara në Marrëveshjen e Përformancës janë në harmoni me politikat e Bankës Botërore dhe synim i përbashkët është të përkrahen/fuqizohen komunat në shtrirjen e qasjes dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor.