Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komunikatë për media

Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Arsim Berisha, bashkë me këshilltarin politik të ministrit të Shëndetësisë, Dr. Anton Shllaku qëndruan sot në Komunën e Hanit të Elezit për të trajtuar çështjen e dyshimeve për helmimin e qytetarëve nga uji i pijes në disa fshatra të kësaj komune.

Zëvendësministri Berisha u njoftua nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12:00 të ditës së sotme ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, 5 pacientë.

MSh dhe ShSKUK sot gjatë ditës kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.

Ekipet e IKShPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.

Me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë.

Në anën tjetër, Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave (AME) në kuadër të MPB-së, përmes cisternave, ka siguruar ujë të pijes për banorët e zonave ku qytetarët kanë pasur probleme shëndetësore, deri sa IKShPK të konfirmojë rezultatet e mostrave të marra për analizat e ujit.

Ndërkohë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi së bashku me këshilltarin e politik të ministrit të Punëve të Brendshme, Lorik Lipoveci kanë vizituar gjithashtu komunën e Hanit të Elezit duke ju ofruar mbështetje autoriteteve lokale për menaxhimin e situatës.

Situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe MSh, së bashku me IKShPK-në dhe dikasteret e  tjera relevante si AME-MPB dhe MAPL janë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet komunale për menaxhimin e situatës.