Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komunikatë për media

 

Prishtinë, 15 gusht 2013

Ministria e Shëndetësisë, duke vlerësuar angazhimin e shoqërisë civile  në monitorimin e punës së saj dhe vërejtjet konstruktive dhe jo ato që kanë qëllime të tjera, sqaron opinionin publik se vlerësimet e shprehura sot në Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në raportin e prokurimit publik për MSh-në nuk prezantojnë realitetin në këtë Ministri.

MSh pajtohet me KDI-në, e cila e thotë në raport se ky sektor ka kufizim të madh të fondeve për të siguruar shërbimet e duhura dhe cilësore për qytetarët, por nuk pajtohet me vlerësimin se buxheti nuk është shpenzuar me efikasitet, duke e ditur faktin se MSh-ja është një prej ministrive me shfrytëzimin në shkallën më të lartë të buxhetit për vitin që shkoi , përfshirë këtu edhe shfrytëzimin e buxhetit për barna.

Sa u përket procedurave të prokurimit, gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka shënuar përmirësime të mëdha dhe është në mesin e ministrive me numrin më të vogël të lëndëve të kthyera në rivlerësim nga ana e autoriteteve që mbikëqyrin prokurimin në nivelet qendrore, ndërkohë që, krijimi i listës së re esenciale me një kategorizim sipas standardeve më të larta të Organizatës Boëtrore të Shëndetëssië dhe i kryer nga ekspertët e fushës, është bërë pikërisht për t’i penguar ndërhyrjet e operatorëve ekonomikë dhe për t’i përfaqësuar sa më drejt nevojat e pacientëve.

Fakti që Ministria e Shëndetësisë ka gjobitur disa operatorë ekonomik për mos-përmbushje të kontratave, nuk flet për tendencë për dënim të operatorëve, por për qëllimin që të ngritet disiplina në përmbushjen e obligimeve, me të vetmin qëllim që pacientëve t’u sigurohet terapia cilësore dhe me kohë.

Sa i përket transparencës,  pohimet e KDI-së duken befasuese duke qenë që kjo organizatë ka pasur qasje të lirë në çdo lëndë të kërkuar për shqyrtim në MSh, ndërkohë që KDI nuk është e vetmja organizatë që e monitorin transparencën e MSh-së dhe, jo shumë ditë më parë, një organizatë tjetër nga shoqëria civile dhe me veprimtari të njëjtë si KDI, e ka vlerësuar MSh-në në mesin e subjekteve me progresin më të madh të arritur sa i përket transparencës me publikun.

Sidoqoftë,  MSh inkurajon edhe më tej KDI-në dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile që të monitorojnë punën e saj në kuptim të zhvillimit të sensit kritik, e bindur se kritikat konstruktive forcojnë bashkëpunimin midis sektorit qeveritar dhe joqeveritar në Kosovë.