Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komunikatë për media

Prishtinë, 3 korrik 2014

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të MSH-së për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2013.

MSh mirëpret këtë raport të Zyrës së Auditorit t Përgjithshëm, të cilin e konsideron si një instrument të mirë për përmirësimin e performancës në pasqyrat financiare të Ministrisë.

Opinioni i ZAP për MSh-në i shprehur në  këtë raport është “Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes”, që sipas opinionit të ZAP tregon se  pasqyrat financiare paraqesin pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Në këtë raport, theksohet se MSh i kishte pranuar rekomandimet e dhëna në raportin e auditimit për vitin 2012, duke i cilësuar si të dobishme për përmirësimin e menaxhimit të aktiviteteve të saj dhe cilësisë së raportimit, dhe MSh ka përgatitur një Plan Veprimi për zbatimin e rekomandimeve të dhëna.

Auditori ka gjetur se deri në fund të auditimit për vitin 2013, shumica e rekomandimeve janë implementuar, derisa për katër rekomandime të tjera, MSh ka ndërmarra masat e nevojshme që të implementohen edhe ato.

Duke e konsideruar si të dobishëm këtë raport, MSh ka formuar një Grup pune që do të merret me zbatimin e rekomandimeve të dhëna, bashkë me Komitetin e Auditimit të brendshëm, ndërkohë që do të adresohet secila e gjetur e këtij raporti, duke iu dhënë Auditorit përgjigje edhe në çështjet për të cilat MSh ka shpjegime të tjera.

Gjithashtu, MSh vlerëson se shumica e vërejtjeve nga Raporti i ZAP siç është rasti me pagesat e Bordeve profesionale dhe niveli i ulët i investimeve kapitale, do të adresohen me reformën e sapofilluar, duke i bartur kompetencat e shumicës së bordeve profesionale në Odat profesionale mjekësore si dhe duke e ndarë Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës si organizatë të veçantë buxhetore, procese këto që janë duke u zhvilluar këtyre ditëve.

MSh vlerëson se raporti i ZAP duhet parë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të shihen si sukseset dhe përmirësimet e evidentuara në të, ashtu edhe lëshimet e gjetura në pasqyrat financiare të MSh-së, me të vetmin qëllim që të përmirësohet performanca e menaxhimit të parasë publike.