Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komunikatë për media

Prishtinë, 10. 04. 2011

 

Ministria e Shëndetësisë e vlerëson protestën e paralajmëruar të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës si veprim të panevojshëm që nuk i shërben tejkalimit të situatës së rëndë në sektorin farmaceutik te vendit.

Mbështetur në nenin 6, nenin 8 (pika 2), dhe nenin 12 (pika 3) të Ligjit për Greva; si dhe nenin 10 dhe nenin 97 të Ligjit për Shëndetësi, Ministria e Shëndetësisë kërkon nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës që aktivitetet e paralajmëruara të jenë në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor dhe duke parandaluar në tërësi rrezikimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të jetës ose të shëndetit të qytetarëve; në mes të tjerave edhe duke organizuar shërbimin e kujdestarisë së barnatoreve në të gjithë territorin e vendit në pajtim me nenin 16 të Ligjit për Greva.

Ministria e Shëndetësisë është duke punuar me përkushtim dhe intensitet të shtuar në tejkalimin e dobësive evidente në sektorin farmaceutik të vendit të krijuara me dekada, duke siguruar parakushtet politike dhe ligjore që furnizimi i tregut me barna të cilësisë së sigurtë në Kosovë të rregullohet në masë të konsiderueshme brenda periudhës sa më të shkurtër kohore.