Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Konfirmohet rasti i parë i vdekjes nga Virusi A H1N1 në Kosovë

 

H. A. E, i lindur më 1978, në fshatin B. të Drenasit, ka ndërruar jetë sot në orën 7 e 10 minuta në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Në bazë të anketimit dhe hulumtimit epidemiologjik, shenjat e para të sëmundjes ne mesin e te cilave edhe temperatura e ngritur mbi 38 shkallë celsius, tek i ndjeri janë paraqitur me datë 25 tetor 2009, ndërsa ndihma e parë mjekësore nga ai është kërkuar te mjeku familjar në Drenas më 8 nëntor 2009.

I ndjeri është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 12 nëntor 2009 në orët e mesditës, ku i është nënshtruar të gjitha ekzaminimeve mjekësore dhe trajtimit me Tamiflu, ndërsa të nesërmen, Qendra Kombëtare për Grip e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka konfirmuar praninë e virusit A H1N1 tek i dyshuari për gripin e ri.

 

Në të njëjtën kohë, tek i ndjeri ishin konfirmuar edhe probleme të tjera shëndetësore si insuficiencë kardio-respiratore, infiltrime pulmonare dhe deficiencë të shprehur imunitare.

 

Prandaj, përkundër angazhimit të shtuar dhe trajtimit mjekësor, pacienti ka ndërruar jetë në ditën e sotme.

 

Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje për këtë rast dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e familjarit të tyre.

 

 

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit për vigjilencë të shtuar dhe paraqitje sa më të shpejtë te mjeku, sapo të hetojnë shenja të dyshimta të gripit, e në veçanti ngritje të temperaturës mbi 38 shkallë celziues.

Në të njëjtën kohë, Ministria u bën thirrje qytetarëve që të mos krijojnë panik, derisa shprehet e inkurajuar me gatishmërinë e qytetarëve, e në veçanti moshave të reja dhe nxënësve, për të zbatuar masat mbrojtëse kundër gripit.

Ministria siguron se në vendin tonë po zbatohen të gjitha masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për menaxhimin e Pandemisë së Gripit A H1N1 dhe  Grupi për menaxhimin e situatës, do të vazhdojë të zbatojë secilën masë që do të jetë e nevojshme, në mënyrë  që pasojat nga virusi i ri në vendin tonë, të jenë sa më të vogla.

Dr. Jusuf Dedushaj ka konfirmuar se që nga paraqitja e rasteve të para të Gripit A H1N1  në Kosovë janë konfirmuar 32 raste me AH1N1 pozitive dhe ka apeluar te qytetarët që të lajmërohen me kohë te mjeku dhe të mos krijojnë panik, sepse virusi A H1N1.

 Dr.  Salih Ahmeti nga Klinika Infektive  ka shpjeguar aspektet e trajtimit klinik te prekurve në Klinikën Infektive.
Kurse, dr. Teuta Doda-Ejupi, ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive të QKUK-së janë duke u trajtuar 18 pacientë të prekur nga Gripi A H1N1  dhe Gripi sezonal dhe gjendja e tyre është stabile.