Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Konfirmohet rasti i parë me Gripin A, nuk ka vend për panik

Në Konferencë për media, Ministri Gashi theksoi punën dhe aktivitetet e Ministrisë së Shëndetësisë që nga dita e parë e shfaqjes së virusit. Ministria e Shëndetësisë ka respektuar të gjitha rekomandimet e OBSh rreth informimit, mbikëqyrjes, trajtimit të rasteve si dhe gjithpërfshirjes institucionale për ta luftuar Gripin A. Këtu nënkuptohet edhe furnizimi me barna, bashkëpunimi ndërinstitucional, bashkëpunimi rajonal, etj.
Ministri po ashtu theksoi bashkëpunimin gjithpërfshirës, duke respektuar rekomandimet e OBSh për hyrje dalje në kufijtë e Republikës së Kosovës dhe mënyrën e shpërndarjes së barnave antivirale, të cilat do të jepen falas.
Në veçanti Ministri Gashi falënderoi mediat për përkushtimin për informim të qytetarëve nga rreziku i gripit dhe mënyrat e mbrojtjes nga ai.
Në konferencë, Jusuf Dedushaj theksoi se nuk ka vend për panik, se nuk ka shenja të infektimit të pjesëtarëve të tjerë të familjes së pacientit të prekur nga Gripi, i cili ka ardhur në Kosovë nga Britania e Madhe.
Prof. Dedushaj porositi se nuk ka vend për panik dhe duhet të jeni të sigurtë se Instituti ka profesionalizmin e duhur dhe ekspertizën për tu përballur sikur shtetet tjera me Gripin A.
Sami Uka nga OBSh, veçoi bashkëpunimin e mirë mes të gjitha institucioneve, posaçërisht me Ministrinë e cila ka zbatuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhepse Republika e Kosovës nuk është ende anëtare e kësaj organizate.
Në fund, gazetarët e pranishëm parashtruan shumë pyetje për Ministrin dhe përfaqësuesin e Institutit.  
Departamenti i Komunikimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës do të lëshoj komunikata, njoftime dhe informata për çdo medium në çdo kohë për informatat që disponon dhe ato do të jenë të rregullta.