Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova dhe Katari diskutojnë bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 14 dhjetor 2015

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr Imet Rrahmani, u prit sot në Doha të Katarit nga Ministri i Shëndetësisë dhe Sekretari Gjeneral i Këshillit Suprem të Shëndetësisë së këtij shteti, z. Abdulla Khalid Al-Qahtani.

Në këtë takim, të dy ministrat shpalosën sfidat dhe prioritetet e shëndetësive të dy shteteve respektive.

Ministrat Rrahmani dhe Al-Qahtani u pajtuan se investimi në Kujdesin Parësor Shëndetësor paraqet një investim racional në preventivën dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve. Gjithashtu, u diskutua edhe për investimet infrastrukutore në Kujdesin shëndetësor Dytësor dhe Tretësor si dhe për sfidën që ka sistemi shëndetësor kosovar në themelimin e sigurimeve shëndetësore.

Dy ministrat folën edhe për këmbimin e përvojave dhe ekspertëve në fushat e ndryshme të shëndetësisë, edukimin profesional, shkollimin specialistik dhe për mundësinë e punësimit të personelit shëndetësor kosovar në Katar.

Po ashtu, u dakorduan për arritjen e Marrëveshjes ndër-ministrore për fushat me interes të dyanshëm në shëndetësi.

Gjatë këtij takimi, Ministri Rrahmani, i dorëzoi homologut të tij pakon e projekteve infrastrukturore që janë të planifikuara të realizohen në vitet në vijim, e për të cilat pati interesim dhe mirëkuptim nga ana e Ministrit Al-Qahtani, po ashtu, ai shprehu vullnetin e tij për të ndihmuar sektorin shëndetësor dhe vendin mik – Kosovën.

Ministri Rrahmani me delegacionin e tij gjatë qëndrimit në Doha, pati edhe një takim me shqiptarët nga Kosova, Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Maqedonia, që jetojnë dhe punojnë në Katar.

Për realizimin e këtij takimi, kanë kontribuar Ambasadori i Republikës së Kosovës në Riad, z. Rexhep Boja dhe stafi i tij.