Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova e Shqipëria fuqizojnë bashkëpunimin në shëndetësi

Me ftesë të Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Ferid Agani sot në Kosovë ka qëndruar Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë, Vangjel Tavo.
Në takimin e tyre të dy ministrat kanë shprehur përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit midis shëndetësive të dy vendeve në interes të forcimit të sistemeve shëndetësore respektive dhe sigurimit të shërbimve shëndetësore sa më cilësore për pacientët në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, ka thënë se ka njoftuar Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, Vangjel Tavo, me reformat e nisura në sektorin e shëndetësinë, duke përmendur Ligjin për shëndetësi dhe atë për sigurime shëndetësore, të cilat shënojnë fillimin e reformës shëndetësore në Kosovë.
Nga ana e tij, Ministri Vangjel Tavo, ka thënë se dy vendet kanë potenciale të mëdha në shëndetësi dhe në këtë aspekt, ka theksuar ai, nuk ka asnjë pengesë që bashkëpunimi të fuqizohet në funksion të avansimit të reformave shëndetësore.
Ministrat Agani dhe Tavo u takuan në prag të shënimit të njëqind vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe ky përvjetor, theksuan ata, do të shënohet me aktivitete konkrete: në Shqipëri me Javën “Pavarësi dhe shëndetësi”, ndërsa në Kosovë me inaugurimin e një shërbimi të ri që deri tash ka qenë deficitar për shëndetësinë kosovare, siç është kardiokirurgjia dhe shërbimet nga radioterapia.
Pikërisht në fushën e këtyre shërbimeve, Ministri Tavo ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar për të ndihmuar Kosovën si dhe në fushën e neurokirurgjisë, që është mirëpritur nga Ministri Agani,në kohën kur shëndetësia kosovare ka nevojë për përkrahje në procesin e reformave, të cilat ka theksuar ai, do të krijojnë një realitet tjetër për shëndetësinë kosovare.
Në takimin midis ministrave është arritur pajtimi që midis dy ministrive të formohet Grupi i përbashkët i punës i ekspertëve të cilët do të punojnë në identifikimin e projekteve të përbashkëta, me qëllim të unifikimit të strategjive dhe dokumenteve të tjera me rëndësi në shëndetësinë e dy vendeve.
Pasi u janë përgjigjur edhe interesimit të mediave lidhur me reformat në shëndetësi, ku Ministri Agani ka rikujtur se ligjet reformuese, ai i shëndetësisë dhe i sigurimeve shëndetësore janë mbështetur nga Banka Botërore dhe FMN-ja dhe do të miratohen: i pari sivjet dhe tjetri kah mesi i vitit të ardhshëm, Ministrat Agani e Tavo kanë vizituar edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku kanë parë përgatitjet për fillimin e kardiokirurgjisë në sektorin publik, ku po ashtu Ministri Tavoka shprehur gatishmërinë që ekipe kardiokirurgësh nga Tirana të ndihmojnë në hapjen dhe konsolidimin e këtij shërbimi edhe në Kosovë.