Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova e Shqipëria thellojnë bashkëpunimin në shëndetësi

Ministrat e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, Ferid Agani e Petrit Vasili shprehën sot në Prishtinë përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në shëndetësi.
Me konstatimin se midis dy shteteve ekziston si asnjëherë më parë një klimë e inspirimit reformues në shëndetësi, ministrat Agani e Vasili i konfirmuan njëri-tjetrit mbështetjen e plotë për sistemin e reformave dhe krijimin e hapësirave të reja të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Pas takimit të tyre të parë zyrtar në Prishtinë, pasi që në Tiranë të dy ministrat janë takuar disa herë, Ministri Agani tha se Ministri Vasili është një njeri i cili me përkushtimin më të madh ka dëshmuar se është për thellimin e marrëdhënieve profesionale, vëllazërore e politike midis Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës .
“Bashkëpunimi ynë i deritanishëm ka pasur rezultate konkrete. Ne, edhe në takimet e mëhershme e kemi theksuar nevojën që të kemi një unifikim sa më të madh të legjislacioneve të dy vendeve, të kemi një unifikim të protokolleve të trajtimit, sistemeve të referimit, sistemit të sigurimit të shërbimeve shëndetësore dhe aspekteve të tjera të funksionimit të shëndetësisë, me theks të veçantë edhe në sektorin farmaceutik dhe nevojën që Republika e Shqipërisë ta ndihmojë Kosovën në rrafshin e përpjekjeve për anëtarësim në OBSh”, tha Ministri Agani.
Ai i vlerësoi lart kontaktet dhe bashkëpunimin që gjatë këtyre muajve ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës.
“Unë shpresoj që në periudhën e ardhshme do të kemi rezultate edhe më konkrete, pasi që përgatitjet të cilat jemi duke i bërë për reformën e sistemit shëndetësor janë në fazën përfundimtare duke pasur parasysh që projektligjet si ai i Shëndetësisë dhe i Sigurimeve Shëndetësore janë në fazën përfundimtare të konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me Bankën Botërore, Komisionin Evropian dhe OBSh-në”, tha Ministri Agani. Ai shprehu bindjen se gjatë vizitës që FMN, më 12 shtator, do të bëjë në Ministrinë e Shëndetësisë,  do të merret drita e  gjelbër për miratimin e këtyre projektligjeve në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Ministri Agani tha se miratimi i këtyre dy projektligjeve do të hap mundësi të mëdha të bashkëpunimit me MSh të Shqipërisë pasi që fushat e bashkëpunimit janë të gjera dhe ato duhet shfrytëzuar.
Ministri Vasili tha se është vërejtur një intensifikim i marrëdhënieve si asnjëherë më parë midis dy ministrive dhe kjo, tha ai,  ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me vullnetin e Ministrit Agani dhe stafit të tij për të krijuar një intensitet të ri komunikimi, jo thjesht vetëm midis dy ministrive , “por midis dy sistemeve tona shëndetësore të cilat kanë përjetuar në momente të caktuara vështirësi afërsisht të njëjta  dhe që qartazi në rrugën e drejtpërdrejt po ecin drejt zgjidhjeve të tyre. Ai e vlerësoi rrugën e reformave që ka zgjedhur MSh e Kosovës”.
“Para pak muajve legjislacioni që orienton dhe rregullon sistemin shëndetësor në Kosovë ka marrë një hov të jashtëzakonshëm, dhe një paketë e projektligjeve është ajo që i duhet shëndetësisë kosovare dhe këtë nuk e them nga pozicioni i një njeriu që bëj konstatime apo që jep këshilla, por pak më parë apo muaj me parë ne kemi miratuar në Parlamentin e Shqipërisë ligje që janë të ngjashme me këto . Të dy sistemet tona janë të orientuara nga filozofia në rrugën e duhur dhe u largohen në mënyrë përfundimtare modeleve të prapambetura menaxheriale të trashëguara dhe orientohen drejt një modeli të ri menaxherial që i përshtatet rendit shoqëror që ne kemi zgjedhur të jetojmë”, tha Ministri Vasili.
Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë të MSh të Shqipërisë për ta mbështetur MSh të Kosovës.
“I konfirmova ministrit Agani se dyert e sistemit shëndetësor të Shqipërisë që nga pjesa administrative e politike e MSh të Shëndetësisë e deri te Strukturat në QSUT dhe qendrat e tjera spitalore në Shqipëri janë të hapura dhe të gatshme të mbështesin gjithçka që kanë mundësi ato dhe që do t’i duhet shëndetësisë kosovare dhe morra njëkohësisht edhe gatishmërinë e Ministrit Agani për gatishmërinë e strukturave shëndetësore kosovare për të bashkëpunuar me strukturat shëndetësore shqiptare, praktikisht pra që të funksionojnë si një sistem i vetëm”, tha Ministri Vasili.
Ai ka ofruar përkrahjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në OBSh.
“Ka gatishmëri të plotë në niveli më të lartë politik për të vazhduar lobimi për përmbushjen e këtij obligimi dhe MSh, unë personalisht dhe personalitete të larta të politikës shqiptare po punojmë për këtë synim të Kosovës, ndonëse është për t’u theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me OBSH-në janë të përditshme, intensive dhe konkrete, ndërkohë që anëtarësimi është një nivel tjetër të cilin duhet ta realizojmë, sepse Kosova e meriton këtë”, tha Ministri Vasili.

Në takimin midis dy ministrave, Ministri Agani ka nënshkruar Letrën e përkrahjes për Nismën rajonale lidhur me problemet e Autizimit,  ku Shqipëria është promotore e kësaj nisme : “Iniciativa Globale e Autizmit për Shëndetin Publik (GAPH)”, që është një përpjekje ndërkombëtare qëllimet e së cilës janë rritja e ndërgjëgjësimit professional dhe publik në mbarë botën mbi Crregullimet e Spektrit Autik