Marrëveshja e nënshkruar sot parashikon shkëmbimin e informatave midis dy ministrive të shëndetësisë të dy shteteve, shkëmbimin e përfaqësuesve dhe specialistëve shëndetësor, inkurajimin e pjesëmarrjes së specialistëve në konferenca dhe takime shkencore të organizuara nga palët si dhe bashkëpunimin për edukimin e vazhduar në shkencat e medicinës, bazuar në marrëveshje reciproke.
Marrëveshje parashikon edhe investime të Turqisë në Kosovë në fushën e shëndetësisë bazuar në Ligjin për partneritetin publiko privat.
Marrëveshja që do të vlejë për një periudhë 5 vjeçare, në mënyrë specifike parashikon që pala turke të ofrojë trajtim pa pagesë për 100 (njëqind) pacientë nga Kosova në vit në këtë shtet, të cilët nuk mund të trajtohen në spitalet e Kosovës. Përzgjedhja e pacientëve që do të dërgohen për trajtim mjekësor në Turqi ndërkaq, do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, e cila obligohet të mbulojë biletat e udhëtimit të pacientëve, kurse ministritë e dy shteteve, obligohen të ofrojnë kushte për implementimin e plotë të marrëveshjes.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrat e Shëndetësisë të Turqisë e Kosovës kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Ankara, ndërsa më pas, ministri Gashi ka vizituar Fakultetin e Mjekësisë Haxhi Tepe në Ankara që konsiderohet si një nga fakultetet më prestigjioze të Mjekësisë në Turqi, për çka me dekanin e këtij fakulteti janë pajtuar që të ketë këmbim të vizitave dhe përvojave midis këtij fakulteti dhe fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
“Rezultatet e kësaj vizite janë të mëdha dhe ajo mund të cilësohet si e jashtëzakonshme”, vlerëson ministri Alush Gashi
Ai e përfundon vizitën e tij zyrtare në Republikën e Turqisë nesër.