Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova ka nevojë për zhvillim të kapaciteteve në fushën e hulumtimeve shkencore

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Dr.Mybera Mustafa tha se me gjithë iniciativat  dhe programet e veçanta të deritashme, Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe të përhershme që ofrojnë edukim për hulumtime shkencore në shëndetin publik, menaxhment , politika ekonomike dhe shëndetësore.

Ajo tha se koncepti i zhvillimit të Shkollës së Shëndetësisë Publike, nuk e parashikon këtë shkollë si një institucion të ri, por si një rrjet që përfiton nga kapacitetet.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, ka elaboruar në mënyrë të detajuar gjendjen e sotme në shëndetësinë publike të Kosovës, duke theksuar ndër të tjera edhe rezultatet e mira që janë arritur si në eradikimin e disa sëmundjeve ngjitëse, në veçanti Polios (paralizës), arritjen e shkallës mbi 95 për qind të realizimit të imunizimit të obliguar etj, ndërkohë që ka përmendur  dhe sfidat e tashme dhe ato të së ardhmes për shëndetësinë publike në vend.

Dr. Merita Berisha, Shefe e Katedrës së Mjekësisë Sociale dhe udhëheqëse e studimeve të doktoratës ( FM-UP), ka folur për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe hulumtuese në shëndetin publik, ku ka shquar nevojën për rritje të numrit të kapaciteteve profesionale.

Prof. Ulrich Laaser, nga Universiteti i Bielefeld (Gjermani), ka bërë një prezantim mbi përvojat e shteteve perëndimore në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e shëndetësisë publike dhe çështjet kyçe që e karakterizojnë një fushë të tillë.

Prof. Genc Burazeri, nga Rrjeti Hulumtues për Shëndet Publik (Public Health Research Netëork -PHR-Net), Universiteti i Maastricht –it, ka elaboruar disa aspekte të mënyrës së funksionimit të shkollave të shëndetësisë publike në shtetet e Evropës Juglindore dhe në Maastricht.

Në diskutimet e zhvilluara është theksuar se një nga sfidat e tanishme për themelimin e Shkollës së Shëndetësisë Publike do të jete gjetja e burimeve të duhura dhe të mjaftueshme njerëzore dhe buxhetore, me synimin që një shkollë e tillë, të jetë qendër e ekselencës sipas standardeve të akreditimit të BE-së dhe pjesë e një rrjeti ndërkombëtar shkencor që do të bëjë hulumtime dhe edukim të nivelit të lartë.