Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova ka nisur sot vaksinimin kundër COVID-19

Kosova ka nisur sot vaksinimin kundër COVID-19, ndërsa hapja e kësaj fushatë për imunizimin e popullatës kundër këtij infeksioni është bërë përmes marrjes së vaksinës së Oxford Astra Zeneca nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, disa profesionistëve dhe qytetarëvë të moshuar.
“Si kryeministër i Kosovës, nuk jam këtu që të shfrytëzojë privilegjin për të marrë vaksinën i pari, por që t’i inkurajojë të gjithë qytetarët që të vaksinohen, meqenëse mbrëmë kanë ardhur kontingjenti i parë kundër virusit COVID-19. Do të kemi dhe vaksina tjera, do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejtë sa më shumë qytetarë të vaksinohen”, tha kryeministri Kurti pas vaksinimit.
Kryeministri tha se vaksinimi është i nevojshëm.
“Dhe, me shembullin tim, dua të ju them të gjithë qytetarëve të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm pasi që përballemi me një pandemi të vështirë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, kryeministri Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të mbajnë maskat dhe të respektojnë masat kundër virusit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se fillimi i vaksinimit është një proces i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës dhe se MSh po bën përpjekje që numri i vaksinave kundër COVID-19 të rritet me qëllim që të përfshirjes sa më te gjërë të popullatës në vaksinim.
Vaksinimi do të nis nesër edhe në mesin e punëtoëve shëndetësor në QKUK-së.