Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova- shembull i qasjes së mirë në luftën kundër HIV/AIDS-it

 Kosova- shembull i qasjes së mirë në luftën kundër HIV/AIDS-it

 

Ministri Ferid Agani, shprehu falënderim për profesionistët shëndetësor dhe partnerët nga organizatat e shoqërisë civile që bashkë me MSh-në iu kanë qasur drejt mbajtjes nën kontroll të HIV infeksionit në vend. Ai tha se MSh është koshiente për rrezikun që ekzison nga HIV/AIDS-i pavarësisht shkallës së ulët të prevalencës së kësaj sëmundje në Kosovë

 

Prishtinë, 30. 11. 2013

 

Kosova vazhdon të ketë prevalencë të ulët të rasteve me HIV/AIDS krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, falë qasjes së suksesshme që ka aplikuar ndaj kësaj problematike të shëndetit publik.

Kështu u tha sot në Ministrinë e Shëndetësisë, në mbyllje të Javës Evropiane të Testimit për HIV (22-29 nëntor 2013), të organizuar nga Komiteti Kosovar për AIDS (KKA), me ç’rast edhe Kosova iu bashkua iniciativës së mbarë Evropës, e njohur si Java Evropiane e testimit për HIV, me moton “Fol për HIV,Testohu për HIV”.

 

Duke shprehur një falënderim për profesionistët shëndetësor dhe partnerët nga organizatat e shoqërisë civile që bashkë me MSh-në iu kanë qasur drejt mbajtjes nën kontroll të HIV infeksionit në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se Ministria është koshiente për rrezikun që ekzison nga HIV/AIDS-i pavarësisht shkallës së ulët të prevalencës së kësaj sëmundje në Kosovë.

Ai tha se që prej vitit 1986 kur është paraqitur rasti i parë me HIV/AIDS në Kosovë, për 27 vjet – janë shënur 90 raste, prej të cilave 40 kanë përfunduar me vdekje. Sivjet, bëri të ditur Ministri Agani, ka pasur tre raste të reja, derisa 15 pacientë kosovarë marrin terapi antiretrovirale, të cilën e siguron Ministria e Shëndetësisë.

 

“MSh me partnerët do të vazhdojë me aktivitete të tjera dhe sot ka filluar punën edhe Grupi Punues për hartimin e Strategjisë së re pesë vjeçare kundër HIV/AIDS-it në Kosovë. Parandalimi është mënyrë më e mirë, prandaj aktivitetet e ardhshme do t’i fokusojnë më shumë në parandalim”, tha Ministri Agani, duke u bërë thirrje, sidomos të rinjve, që të parandalojnë marrëdhëniet e rrezikshme seksuale, të parakohshme dhe jashtëmartesore. Gjithashtu, Ministri ka bërë thirrje edhe kundër stigmës ndaj personave të prekur me HIV infeksion, duke theksuar se kjo sëmundje nuk duhet të jetë tabu, por temë serioze për diskutime dhe për një qasje të sukseshme që shkon nga parandalimi, që edhe deri tash në Kosovë është treguar e suksesshme, falë Strategjisë që e ka pasur, hapjes së qendrave të Këshillimit dhe testimit profesional dhe angazhimeve të tjera serioze.

 

Dr. Izet Sadiku, infektolog, kryesues i Grupit Punues për Strategjinë e re kundër HIV/AIDS-it tha se Kosova mund të krenohet me të arriturat në fushën e mbatjes nën kontroll të kësaj sëmundje dhe parandalimit të saj, falë veprimit të koordinuar mirë. Fakti që Kosova prej vitit 2003 ka pasur Strategji kundër HIV/AIDS-it para shumë shteteve dhe para disa viteve ka hapur edhe qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar, tregon se në këtë fushë është punuar shumë. “Derisa në Shqipëri sivjet është raportuar për 100 raste të reja me HIV infeksion, në Kosovë sivjet janë shënuar vetëm 3 raste dhe kjo flet se është punuar mirë në parandalim. Sigurisht nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe në Strategjinë e re do të fokusohemi për parandalim, ashtu që edhe në të ardhmen, Kosova të jetë storie suksesi në luftën për parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të HIV/AIDS-it në Kosovë”, tha Sadiku.

 

Dr. Ilir Begolli (IKSHP), tha se Kosova mund të konsiderohet si një shtet i krenarisë për shkak të nivelit të ulët të prevalencës me HIV infeksion, por edhe shtret i brengave, duke e ditur numrin e madh të të rinjve. Ai u ka bërë thirrje të rinjve dhe shtresave të tjera, që të shmangin faktorët e rrezikut siç janë drogat intravenoze, marrëdhëniet seksuale të pa mbrojtura dhe shprehitë e tjerë që e favorizojnë HIV infeksionin. Duke ditur që trajtimi i të prekurve nga HIV/AIDS-i është shumë i shtrenjtë, dr. Begolli ka bërë thirrje për parandalim në mënyrë që të kursehet jeta.

 

Prej 22-29 nëntor 2013 në Kosovë, organizuar nga MSh përmes KKA në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë janë organizuar/bashkërenditur aktivitetete në tërë vendin për informimit të përgjithshëm të publikut përmes publikimit dhe shpërndarjes së 25 000 fletëpalosjeve me informata për HIV/AIDS dhe për Javën Evropiane të Testimit për HIV, emitimin e radiomesazheve në radiostacione nacionale dhe lokale, shpërndarjen e kartolinave informuese për grupet e rrezikut, përmes qendrave të testimit dhe këshillimit vullnetar në regjionin e Prizrenit dhe Ferizajt, shpërndarjen e video-animacionit lidhur me HIV/AIDS përmes rrjetit social – PEN, shfaqje teatrale dhe ndejë edukuese për komunitetin RAE, vendosjen e tendës informuese në qytete me rastin 1 Dhjetorit-Ditës Botërore të AIDS-it, ligjërata në shkolla, vizitë të rinjve në kafeteri për t’u shpërndarë porosi të shkruara për mbrojtje nga infeksioni, debate televizive, testime dhe këshillime vullnetare për HIV/AIDS, etj.