Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova shënoi Ditën Botërore të Tuberkulozit

Duke u shprehur mirënjohje profesionistëve kosovarë për sukseset në luftën kundër tuberkulozit, Ministri Agani tha se angazhimet e mëtejme do të vazhdohet në partneritet me donatorët dhe në këtë aspekt, ai falënderoi Fondin Global për mbështetjen dhe kontributin e dhënë për uljen e prevalencës dhe incidencës së TB-së në Kosovë.
“Jam I njoftuar mirë me uljen e prevalencës dhe incidencës së kësaj sëmundje, por edhe për rastet rezistente në terapinë specifike, prandaj do t’i ndërmarrim të gjitha masat për tejkalimin e vështirësive që kanë të bëjnë me trajtimin e këtyre rasteve”, tha Ministri Agani, duke shtuar se në frymën e kësaj, do të mbështeten aktivitetet për një spital ku do të trajtoheshin këto raste.
Prof. Dr. Irfan Spahiu, doajen i pulmologjisë kosovare, duke bërë një krahasim me parashikimet e mëhershme rreth ecurisë së TB-së që, sipas tij, TB nuk është eradikuar në Kosovë deri në vitin 2000 sikur ishte parashikuar, tha se kjo sëmundje do të jetë prezente edhe një kohë të gjatë, e sidomos format rezistente.
Menaxherja kombatëre për TB, dr. Rukije Mehmeti, tha se incidenca dhe prevalence e kësaj sëmundje ka shënuar rënie, por numri i rasteve mbetet i lartë dhe zakonisht, këto raste përcillen edhe me sëmundje shoqëruese.
Sipas saj, në katër vitet e fundit, numri i rasteve të reja me TB në Kosovë ka rënë nën 1000 dhe viti i kaluar e ka gjetur Kosovën me 920 raste të reja të moshës prej 15-34 vjeçare. 
Në takimin kushtuar 24 Marsit-Ditës Botërore të TB-së, u shtrua si nevojë që Spitali i ri i mushkërive, i ndërtuar në Pejë, të pajiset me aparaturën e nevojshme dhe në Kosovë të fillojë edhe aplikimi i   terapisë së rendit të dytë, pasi që deri tash ka pasur 10 raste rezistente në terapinë specifike, të cilën në të ardhmen duhet të sigurojnë institucionet me ndihmën e partnerëve dhe donatorëve.