Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova u bë me Qendër Kombëtare të diagnostikimit të Gripit A H1N1

Në këtë qendër, me metodën më të sofistikuar me RT-PCR do të bëhet diagnostikimi i rasteve të Gripit A H1N1, Gripit të shpezëve dhe Gripit sezonal.

Inaugurimi i kësaj qendre, u vlerësuar një e arritur e madhe për shëndetësinë e Kosovës, ndërsa në këtë solemnitet, u tha se, tash e tutje, mostrat e të dyshuarve për grip, nuk do të ketë nevojë të dërgohen për analiza në vendet e tjera, por ato do të analizohen në Kosovë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerësoi lart inaugurimin e qendrës (laboratorit), kurse nga profesionistët kërkoi që të shkrijnë dijen e tyre në funksion të funksionalizimit të shëndetësisë dhe sigurimit të një shëndeti të plotë për popullatën në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se hapja e kësaj qendre diagnostike tregon se shëndetësia kosovare po trajtohet me prioritet nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe krahas investimeve të vazhdueshme në shëndetësi, në vitin që vjen do të ketë edhe ngritje pagash.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak, ka inkurajuar autoritetet kosovare që të vazhdojnë me projekte dhe punë të mirë në shëndetësi, ndërsa theksoi se Banka Botërore tek autoritete kosovare dhe Ministria e Shëndetësisë, ka gjetur partnerin serioz të bashkëpunimit.

Ministri i Shëndetësisë Alush Gashi, tha se Ministria ka vepruar me përgjegjësi të plotë rreth menaxhimit të pandemisë së Gripit AH1N1, duke implementuar në tërësi të gjitha rekomandimet e dala nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe në këtë pikëpamje, ai ka thënë se aktivitetet e bashkërenduara do të vazhdojnë edhe me tej, ndërsa Qendra e përuruar, do të jetë një qendër referente edhe për vendet e rajonit.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka thënë se Qendra ka kompletuar infrastrukturën e saj dhe mostrat do të mund të analizohen menjëherë me RT-PCR që është metoda më e sofistikuara në diagnostikimin e Gripit A H1N1, Gripit të shpezëve dhe Gripit sezonal.

Qendra Kombëtare e Gripit është investim i përbashkët i Bankës Botërore dhe Ministrisë së Shëndetësisë.