Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova u përfaqësua në Konferencën ndërkombëtare për Gripin A H1N1

Konferenca ka qenë disa ditore dhe gjatë saj janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me pandeminë e gripit A H1N1 siç janë qasja te sigurimi i vaksinave, kapacitetet laboratorike për trajtimin e rasteve, gjegjësisht diagnostika laboratorike, modalitetet e mbështetjes së OBSh-së, sistemi i mbikëqyrjes së pandemisë, komunikimi i rasteve, kontrolli i infeksioneve spitalore gjatë pandemisë, edukimi i popullatës për gripin A H1N1, etj.

Delegacioni kosovar, gjatë një takimi me përfaqësues të OBSH-së, ka marrë premtimin për ndihmën e kësaj organizate në sigurimin e vaksinave.

Siç dihet, Qeveria  e Kosovës, të enjten ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që të nisin procedurat për porositjen e vaksinave, sipas rekomandimit të OBSH-së, që do të mbulonin rreth 25 për qind të popullatës.

Ndërkaq, në kuadër të përgatitjes sa më të mira për çdo lloj situate që mund të sjellë pandemia e Gripit A H1N1, nga data 6-8 shtator në Durrës, OBSh organizon një takim tjetër pune me ekspertët klinik që merren me trajtimin e Gripit A H1N1, ndërsa nga Kosova në këtë trajnim, do të marrin pjesë drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, infektologu i kësaj klinike, Sali Ahmeti dhe drejtori i e Qendrës Emergjente, Basri Lenjani.