Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova ul shkallën e vdekshmërisë së nënës dhe foshnjës

Ministri deklaroi kështu në hapje të Konferencës Turko-Kosovare për shëndetin ripridhues “Prej Adriatikut deri në Kinë”, që u zhvillua sot në organizim të organizatës turke  “YISAV” të Republikës së Turqisë, bashkë me MSh-në, të Republikës së Kosovës,  Shoqatën e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës dhe Komiteti Kosovar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës.

Në këtë konferencë profesionale ndërkombëtare, u trajtuan tema të rëndësishme nga fusha e shëndetit riprodhues si dhe janë zhvilluar debate interaktive midis ekspertëve kosovarë të fushës së Obstetrikës e Gjinekologjisë dhe rreth 50 obstetërve dhe gjinekologëve nga Turqia.

Ministri Gashi ka thënë gjatë konferencës se ulja e shifrave të vdekshmërisë së nënës dhe fëmijës i bën institucionet e Kosovës të ndihemi mirë, por do të ndihen shumë më mirë kur shifrat të zbriten edhe më tej dhe kur shumë nëna dhe prindër, do t’i gëzohen ardhjes në jetë të sa më shumë fëmijëve të shëndoshë. “Ky është objektivi ynë”, tha ministri Gashi, duke siguruar se kthimi i besimit  të donatorëve, transparenca dhe besimi në dijen e profesionistëve kosovarë, e bën Ministrinë të besojë se sukseset e reja nuk do të mungojnë.

“Një Kosovë e re, një Kosovë me popullatë të shëndoshë, është objektivi ynë dhe këtu nuk kemi hamendje, këtë do ta arrijmë së bashku”, tha ministri Gashi.

Gjatë vitit të kaluar Kosova ka regjistruar mbi 28 mijë lindje dhe vdekjet fetale janë zvogëluar në 11.6 promila, vdekjet e hershme neonatale në 9.1 promila,  kurse shkalla e vdekshmërisë së vdekjeve perinatale nga 29. 1 promila sa ishte në vitin 2000, tani është ulur nën 20 promila.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Metin Husrev Unler, tha se Turqia e Kosova janë një shembull i mirë i partneritetit të mirë. Ky partneritet, tha ai, do të vazhdojë në mënyrë edhe më intensive, ndërsa shembull për këtë, ai përmendni vizitën që ministri Alush Gashi do të realizojë prej 6-9 shtator në Ankara, ku me autoritetet e shtetit turk, do të nënshkruajë një Marrëveshje zyrtare bashkëpunimi.

Ferit Saraçoglu, president i YISAV ka thënë se qëllimi i konferencës është që të implementojë ato masa që kanë për qëllim zvogëlimin e vdekshmërisë së nënës dhe foshnjës, eliminimin e sëmundjeve infektive, etj, në përmbushje të motos për një shëndet sa më të mirë riprodhues “prej Adriatikut deri në Kinë”.

Kurse, Mahir Jagxhillar, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se kjo ministri, pavarësisht se nuk është e lidhur drejtpërdrejt me fushën e shëndetit riprodhues, do të mbështesë të gjitha ato projekte të shëndetësisë që kanë për qëllim një shëndet dhe mjedis më të shëndoshë për popullatën kosovare dhe forcimin e partneritetit midis Turqisë dhe Kosovës.

“YİSAV” është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1995 dhe aktualisht ka rreth 400 anëtarë,  të cilët janë akademikë të kalibrit të lartë, burokratë dhe biznesmenë, ndërsa organizon konferenca ndërkombëtare në shumë vende të Evropës Juglindore dhe me gjerë.