Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosova vend me shkallë të lartë të imunizimit të fëmijëve

Duke vlerësuar se shkalla e lartë e imunizimit është meritë e punonjësve shëndetësor dhe duke kërkuar që në kuadër të këtij procesi, rëndësi t’i jepet edhe imunizimit të grupeve të margjinalizuara, kryesisht të komuniteteve pakicë, ministri Bukoshi, tha se në këtë drejtim duhet punuar së bashku MSh, IKSHP, UNICEF-i dhe partnerët e tjerë, ndërsa prindërve u ka bërë thirrje që të jenë të vëmendshëm dhe t’i vaksinojnë fëmijët.

Johannes Wedenig, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se procesi i imunizimit tregon për kultura të ndryshme varësisht se si këto vende e bëjnë imunizimin.

"Në Kosovë të gjitha komunitetet e shprehin në formën e tyre se si i duan fëmijët dhe janë të interesuar që t’i mbrojnë ata. Mënyra më efikase për ta shprehur dashurinë ndaj fëmijëve është që t’i vaksinojmë ata, duke u siguruar atyre jetë produktive dhe të sigurt për ta", tha Wedenig.

Ai tha se brenga e UNICEF-it është që në viset rurale një në dhjetë fëmijë nuk është i vaksinuar, ndërsa theksoi se çdo i dyti fëmijë që është i vaksinuar në botë, është i vaksinuar më vaksina të siguruara nga UNICEF-i.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se me shkallën prej 95 për qind të vaksinimit, Kosova tejkalon edhe shumë vende të Evropës Përendimore dhe si rezultat i kësaj që nga viti 1996 në Kosovë nuk ka asnjë rast të Polios, nuk ka qe disa vite epidemi të fruthit dhe të shumë sëmundjeve të tjera, gjithnjë duke iu përmbajtur edhe rekomandimeve të OBSh-së për programin e imunizimit.

Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se Java Evropiane e Imunizimit është një mundësi e veçantë për të përhapur mesazhin e imunizimit për të shpëtuar jetë dhe krahas 44 vendeve të Evropës, procesit të rëndësishëm të imunizimit dhe kampanjës së imunizimit i bashkohen edhe mbi 100 vende të botës.

Java Evropiane e Imunizimit synon të promovojë sa më shumë rëndësinë e imunizimit, ku secili fëmijë meriton një fillim të shëndetshëm të jetës.

Ajo zgjat prej 24 prill deri më 1 maj.