Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kosovarët diskutojnë me ekspertët e OBSH-së perspektivën e Regjistrit të Kancerit në Kosovë

alt

alt

 

Në ditën e dytë të vizitës së tyre në Kosovë ekipi i ekspertëve nga Qendra Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit në Lion të Francës, që është Qendër Kolaborative e OBSh-së për Kancer kanë zhvilluar një takim me Bordin për Zhvillimin e Programit Shtetëror për Kontrollin e Kancerit në Kosovë, me ç’rast janë bërë edhe disa prezantime lidhur me Regjistrin e Kancerit dhe mënyrat e krijimit të tij në vende të ndryshme të Evropës.

Ekipi i konsulentëve të OBSH-së, në përbërje Dr. Stefano Rosso (udhëheqës i ekipit) nga Regjistri Kancerit në Piedmong të Torinos-Itali, Dr Jean-Michel Lutz nga Instituti Kombëtar për Epidemiologjinë dhe Regjistrin e Kancerit nga Cyrihu-Zvicër dhe Dr. Andrea Micheli nga Instituti Kombëtar për Kancer në Milano –Itali, gjatë qëndrimit në Kosovë, por edhe në takimin me diskutime me Bordin për Zhvillimin e Programit Shtetëror për Kontrollin e Kancerit në Kosovë, janë njohur me kapacitetet dhe mundësitë që ka Kosova për krijimin e Regjistrit të kancerit, potencialet fizike dhe ato profesionale si dhe qasjen aktuale të institucioneve të Kosovës ndaj problematikës së sëmundjes së kancerit në përgjithësi.
Një prezantim lidhur me strategjitë e organizimit, resurseve, personelit dhe regjistrimit tashmë të zbatuara apo të planifikuara për zhvillimin efektiv të regjistrit të kancerit, para ekspertëve të OBSH-së e ka bërë prof. Dr. Merita Koçinaj-Berisha, ndërkohë që ekspertët e OBSH-së kanë sqaruar aspekte të ndryshme lidhur me politikat aktuale dhe organizimin e regjistrit të kancerit në vendet e Evropës si dhe perspektivat rreth programeve të kujdesit shëndetësor nëpër Evropë.
Pas përfundimit të vizitës, ekipi i ekspertëve të OBSh-së do të përpilojë një raport lidhur me të gjeturat e tyre dhe me mundësitë e Kosovës për krijimin e regjistrit të kancerit në Kosovës dhe perspektivën e Zhvillimit të Programit Shtetëror për Kontrollin e Kancerit.