Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

KQZ shpall dhe certifikon rezultatet për Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës

Prishtinë, 21 tetor 2013

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Odën e Mjekëve të Kosovës shpalli dhe certifikoi sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për këtë institucion të pavarur të profesionistëve shëndetësor, për të cilin, të enjten e kaluar u mbajtën zgjedhjet.

Në një konferencë për media, të mbajtur sot në Ministrinë e Shëndetësisë, nga KQZ u tha se në bazë të procesverbaleve të arritura nga të gjitha njësitë zgjedhore , nga 2975 mjekë të certifikuar në listat zgjedhore, të drejtën e votimit e kanë ushtruar 2537 prej tyre, apo 85.27 për qind.

Dr. Hysni Bajrami, kryetar i KQZ-së për Odën e Mjekëve, vlerësoi se një pjesëmarrje e këtillë, është shumë e lartë dhe procesi zgjedhor ka qenë shumë i suksesshëm.
Ai bëri të ditur se në bazë të procedurave të përcaktuara me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve për Odat e Mjekëve, numri i anëtarëve të zgjedhur për Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës do të jetë 105, ndërsa numri i anëtarëve të deleguar do të jetë 40, apo shprehur ndryshe 27.58 për qind.

Profesor Bajrami bëri të ditur se KQZ është duke pritur propozimet që vijnë nga Asociacioni i Institucioneve Private Shëndetësore, të cilët në Kuvend do të përfaqësohen me 10 anëtarë, ndërsa Kuvendi do të ketë gjithsej 145 anëtarë.

Në KQZ nuk i kanë dërguar emrat e përfaqësuesve të tyre për Kuvendin e Odës së Mjekëve Shoqata e Mjekëve të Diasporës (të cilët kanë pasur t’i delegojnë 5 anëtarë) dhe Komunat e pjesës veriore të Kosovës, derisa komunat e tjera nga komuniteti i pakicave si Mamusha, Shterpca, Graçanica, Parteshi dhe Zubin Potoku, kanë deleguar nga një përfaqësues.

Në këtë konferencë, KQZ vlerësoi gjithashtu se procesi zgjedhor ka qenë i organizuar mirë dhe ka pasur një ankesë të parashtruar brenda afatit ligjor dhe një tjetër pas mbylljes së afatit të ankesave, por që në dy të dy rastet , ankesat janë hedhur poshtë si të pabazuara.

Gjithashtu, KQZ, ka bërë të ditur se në tetë njësi zgjedhore ku kandidatët kanë pasur numër të njëjtë të votave, kandidatët me numër identik të votave do të jenë anëtar të Kuvendit të Odës, me që është konstatuar se ky numri nuk e ngarkon dhe nuk ndikon në Kuvendin e Odës së Mjekëve, i cili parashihet të mbahet më 10 nëntor 2013.

Prej datës 25 nëntor fillon kandidimi për Kryetar të Odës së Mjekëve të Kosovës, dhe secili që dëshiron të certifikohet për këtë kandidaturë, duhet të sigurojë së paku 25 nënshkrime nga anëtarët e certifikuar për zgjedhje për Kuvendin e Odës së Mjekëve, deri më 5 nëntor, kur përmbyllet afati i konkurrimit për kryetar të Odës.

Oda e Mjekëve të Kosovës është organizatë e pavarur që mbron dhe prezanton interesat profesionaleve të anëtarëve të saj, e cila po themelohet bazuar në Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 30 maj të këtij viti.