Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kryeinspektorët shëndetësor të Kosovës e Shqipërisë bisedojnë për masat që mbrojnë shëndetin publik të qytetarëve

Prishtinë, 8 qershor 2015 

Kryeinspektorja Shëndetësore e Republikës së Kosovës, z. Ardita Baraku dhe Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor të Shqipërisë, z. Eltar Deda, zhvilluan sot në vendkalimin kufitar Vërmicë-Morinë një takim pune me qëllim të shkëmbimit të  informatave,  koordinimit të praktikave dhe ndarjen e përvojave më të mira të  punës të dy Inspektorateve.

Pas takimit, në një deklarim para mediave, Kryeinspektorja Baraku tha se shkëmbimi i informacioneve ndërmjet dy inspektorateve do të garantojë siguri maksimale edhe në lidhje me sëmundshmëri të ndryshme. “Ky takim do të thellojë bashkëpunimin mes dy inspektorëve shëndetësore, në shkëmbimin e informatave, në këmbimin e përvojave të mira dhe koordinim të aktiviteteve të përbashkëta”, tha znj. Baraku.

Kurse, z. Eltar Deda, tha se takimi kishte karakter bashkëpunimi në funksionin e mbrojtjes së shëndetit publik.

“Inspektimi konsiston dhe në rritjen e fluksit të qytetarëve me rastin e sezonit turistik ku ne garantojmë një sezon turistik të shëndetshëm dhe të pastër higjenikisht. Ne do ta ndjekim këtë situatë gjatë gjithë kohës në mënyrë të tillë që qytetarët të ndihen të sigurt për këtë periudhë sezoni. Në kuadër të marrëveshjes së integruar të kufijve për të ndjekur anën e shëndetit, kemi rënë dakord të shkëmbejmë informacione të përbashkëta dhe të ndjekim situatën në raste epidemish dhe raste të tjera që kanë të bëjnë me shëndetin e popullatës”, tha z. Deda,

Takimi që kishte për qëllim shkëmbimin e informative dhe koordinimin e praktikave,  është në kuadrin e menaxhimit të integruar të kufijve në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit të OBSH dhe legjislacioneve respektive në fuqi.