Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kryeministri Mustafa dhe Ministri Rrahmani kanë vizituar Klinikën e Kardiokirurgjisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kanë vizituar Klinikën e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Fillimisht, kryeministri Mustafa ka vizituar ambientet e kardiokirurgjisë, ku ka biseduar me mjekët dhe me pacientët që po trajtohen në këtë klinikë, lidhur me kushtet, shërbimet si dhe shqetësimet tjera të tyre. Kryeministri Mustafa dhe ministri Rrahmani kanë zhvilluar një takim me drejtorin e Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, të cilët më pas kanë dalë në një konferencë për gazetarë, ku kanë vlerësuar rezultatet dhe angazhimet e mëtejshme në avancimin e shëndetësisë në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij, tha se shëndetësia kosovare meriton një kujdes të veçantë dhe se suksese të cilat po shënohen kohëve të fundit, meritojnë të respektohen, të kultivohen dhe se ato japin shpresë. “Megjithatë, ne po arrijmë që të organizohemi mirë, dhe po arrijnë që ta bëjmë shëndetësinë ashtu si kemi dashur, që njerëzit tanë ta gjejnë zgjidhje këtu në Kosovë, sepse kemi personel të mirë mjekësor”, tha kryeministri Mustafa.Kryeministri, po ashtu, tha se shëndetësia është një prej prioriteteve të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës. “Është një orientim shumë i fuqishëm në këtë fushë. Natyrisht se realizimi i këtij prioriteti nënkupton edhe mjete financiare, sepse duhen bërë investime në shumë fusha këtu, edhe në kapacitetin e godinave të cilat duhet të rikonstruktohen apo të ndërtohen të reja, edhe në teknologji, edhe në pajisje. Duhet të bëjmë përpjekje që edhe në këtë aspekt të jemi konkurrent dhe të ofrojmë kushte teknike, të cilat i përgjigjen trajtimit të pacientëve, sepse çdo gjë këtu është e drejtuar kah njeriu, kah pacienti”, tha kryeministri Mustafa, duke folur edhe për rëndësinë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Kryeministri Mustafa tha se është përcaktuar si prioritet edhe funksionalizimi i Departamentit të Kardiokirurgjisë e Kardiologjisë. “Kjo e para e pamë se po funksionon shkëlqyeshëm. Unë e uroj edhe personelin mjekësor që ka arritur të bëjë një punë shumë të mirë dhe të suksesshme. Diku rreth 19 operacione për 1 muaj, që nuk bëhen as në klinikat më të njohura”, tha Mustafa, duke shtuar se tashmë janë orientuar edhe për qendrën për kirurgji të fëmijëve, e cila do të arrihet me investimin gati 25 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara, ku është angazhuar edhe presidentja Jahjaga. Kryeministri, po ashtu, tha se janë fuqizuar edhe kapacitetet e diagnostifikimit dhe se është përmirësuar gjendja në furnizim me barna, duke garantuar angazhim më të madh në sigurimin e barnave për pacientë.Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi rezultatet e arritura edhe në zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe në uljen e vdekshmërisë të foshnjave dhe të nënave. Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, prezantoi gjerësisht rezultatet e arritura në shëndetësinë kosovare, vitin e fundit. Në fjalën tij, Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë gjatë kësaj periudhe ka kryer shumë aktivitete në realizimin e objektivave të Qeverisë, që në qendër kanë pacientin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Vendosja e shëndetësisë në prioritetet e Qeverisë, ka ndikuar që vëmendja e të gjithë sektorëve të jetë më e fokusuar në përmbushjen e detyrimeve reciproke. “Në fillim kemi dhënë premtimin se do të merremi seriozisht me ngritjen e shërbimeve të reja dhe me forcimin e atyre që tash për tash po i kushtojnë shumë Buxhetit të Kosovës. Është formuar Këshilli për Funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, i cili pas gjashtë muajsh angazhim ka dhënë rezultatin konkret. Sot e kemi Klinikën e Kardiokirurgjisë në funksion. Këtyre ditëve, do të propozohet në Qeveri nxjerrja e vendimit për trajtimin e shërbimeve të kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë invasive si shërbime me rëndësi të veçantë. Ky vendim do të mundësojë mbështetje konkrete dhe qëndrueshmëri në zhvillimin e këtyre dy shërbimeve”, tha Rrahmani.

Ministri i Shëndetësisë, po ashtu, foli për realizimin në masë të madhe të planit strategjik të Qeverisë për përmirësimin e furnizimit të institucioneve shëndetësore me barna dhe material harxhues, për aktivitet në parandalimin e sëmundjeve, për themelimin e Këshillit Përgatitor për Funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, për procesin e specializimeve e shumë çështje tjera të rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Drejtori i Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, e falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën në Klinikën më të re që është funksionalizuar, Kardiokirurgji.