Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kryeministri Thaçi e Ministri Agani vizituan fëmijët që vuajnë nga leukemia

 

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të intensifikojë procesin për dërgimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e rënda për shërim jashtë vendit, duke filluar që nga vizat e deri të sigurimi i mjeteve financiare.

Këto komente ai i ka bërë gjatë të vizitës që u ka bërë fëmijëve që trajtohen në repartin e Hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, së bashku me Ministrin Ferid Agani.

“Biseduam me drejtorin dhe të tjerët për mundësitë  që i kemi krijuar dhe të gjithë ata fëmijë që kanë mundësi të shërohen në Kosovë do të shërohen këtu, ndërsa të tjerët që kanë nevojë për shërim jashtë vendi  do të identifikohen dhe do të përshpejtohen procedurat. Për çështjen e vizave dhe koston financiare do t’i kryejë qeveria e Kosovës, me mjete që janë dedikuar për këtë çështje, pra 5.5 milionë euro”, ka pohuar Thaçi.

Ministri Agani ka thënë se kjo është një ditë më rëndësi për shëndetësinë, e në veçanti për fëmijët e sëmurë. Më këto mjete do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së fëmijëve.

“Jam i bindur se këto mjete financiare do të kontribuojnë drejtpërdrejt në shërimin e këtyre fëmijëve. Ne si Ministri e Shëndetësisë së bashku me ekipin e mjekëve do të zhvillojmë një plan operativ për shfrytëzimin e këtyre mjeteve në mënyrë që ato të plotësojnë synimin kryesor e që është shërimi sa më i shpejtë I tyre”, ka thënë Agani.

Ndryshe, qeveria e Kosovës, 5.5 milionë euro vendosi t’i alokoi për shërimin e fëmijëve që vuajnë nga leukemia, pasi që të njëjtat ishin përllogaritur në rritjen e pagave për qeverinë, presidencën dhe deputetët, ku këta të fundit kundërshtuan këtë rritje.