Prishtinë, 26 shkurt 2015
Kuvendi i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësor (OIK) mbajti sot Kuvendin e dytë zgjedhor në të cilin anëtarët e Kuvendit zgjodhën Këshillin Drejtues dhe Këshillin Mbikëqyrës të kësaj ode.
Kryetari i kësaj Ode, Naser Rrustemaj ka njoftuar anëtarët e Kuvendit të kësaj ode me punët që po bëhen nga kjo odë në fillim të konstituimit të saj, duke e vlerësuar rëndësinë e zgjedhjes së organeve të kësaj ode.
Dr. Izet Sadiku, këshilltar politik i Ministrit Rrahmani, tha se Kuvendi shënon një moment të rëndësishëm për t’i dhënë shtytje procesit të reformës shëndetësore, ku themelimi i Odës është një nga sukseset e kësaj reforme.
Ai tha se OIK ka rëndësi të madhe në proceset e ardhshme duke qenë se do të ketë përgjegjësi konkrete në licencimin e këtij komuniteti, çështjet etike etj.
Ndërkohë që, kryetari i KQZ për Odat e Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë, Hysni Bajrami ka njoftuar anëtarët e Kuvendit me procedurat e zgjedhjes së organeve të kësaj ode si dhe përgjegjësitë e tyre.
Kuvendi i OIK zgjodhi sot anëtarët e saj që do të përfaqësohen në Bordin për Regjistrim dhe Licencim; Komisioni për Licencimin e Infermierëve me përgatitje të mesme shkollore; Komisioni për Licencimin e Infermierëve me përgatitje të lartë shkollore; Bordin për Specializim; Bordin për Mbikëqyrjen e Etikës Profesional; Bordi për Edukim të vazhdueshëm profesional EVP si dhe ka formuar komisionet për hartimin e Statutit të Përhershëm të OIK-së; Komisionit për hartimin e Rregullores së Punës të OIK-së; Komisionit për hartimin e Kodit të Etikës Profesionale të OIK-së dhe Komisionit për logon, emblemën dhe shenjat e OIK.