Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Kuvendi i Odës së Mjekëve të Kosovës zgjodhi Dr. Zylfije Hundozin për kryetare të saj

Presidenti i Asociacionit Mjekësor Botëror, Dr. Otmar Kloiber, duke e vlerësuar lart guximin e Ministrit Agani për t’iu qasur themelimit të Odës dhe krijimit të vetëqeverisjes mjekësore, tha se kjo është një veti e burrështetasve që kanë një guxim, vizion dhe përgjegjësi për të bërë këtë

Prishtinë, 10 nëntor 2013

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe mbështetur nga Shoqata Gjermane Mjekësore-Oda e Mjekëve të Bavarisë, Fondacioni “Hans Neuffer” dhe Qeveria e Kosovës, sot në Prishtinë, për herë të parë në historinë e shëndetësisë së Kosovës u bë inaugurimi i Odës së Mjekëve të Kosovës dhe u zgjodh kryetari i saj.

Pas dy raundeve të votimit, me  70 vota të fituara nga 126 anëtarë të Kuvendit, të cilët morën pjesë në votimin e dytë, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, u zgjodh, dr. Dr. Zylfije Hundozi, specialiste e neuropsikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në një ceremoni solemne dhe me praninë e përfaqësuesve të Odave mjekësore nga Gjermania, Austria, Hungaria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe përfaqësues të lartë të vendeve dhe misioneve të ndryshme diplomatike, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se inaugurimi i këtij Kuvendi paraqet një moment historik për shëndetësinë kosovare, në kohën e reformave të mëdha në këtë sektor.
Ai tha se me inaugurimin e Odës së Mjekëve të Kosovës arrihet një shkallë e lartë e vetëqeverisjes mjekësore nga komuniteti mjekësor dhe dëshmohet një pjekuri profesionale nga ana e tyre, për të ushtruar një varg përgjegjësish të bazuara në Ligjin për Odën e Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë.

Në këtë inaugurim, Ministri ka falënderuar të gjithë doajenët e mjekësisë kosovare dhe ata mjekë që kontribuuan që shëndetësia kosovare të jetë në pozitë për të inauguruar Odën e Mjekëve, përfshirë edhe mjekët e rënë për liri, për të cilët u mbajt një minutë heshtje, duke theksuar se me themelimin e Odës përmbushet shtylla e dytë e reformës shëndetësore.

Inaugurimin e Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës e përshëndeti Zëvendës-presidenti i Shoqatës Gjermane Mjekësore dhe njëherësh  kryetar i Odës së Mjekëve të Bavarsë, dr. Max Kaplan.
Ai tha se është një privilegj i madh për Shoqatën Mjekësore Gjermane që pari fatin të ndihmojnë në themelimin e Odës së Mjekëve të Kosovës, duke ngritur kështu në një nivel tjetër të përgjegjësisë të drejtat e komunitetit mjekësor në raport me shoqërinë.

Kurse, Presidenti i Asociacionit Mjekësor Botëror, Dr. Otmar Kloiber, duke e vlerësuar lart guximin e Ministrit Agani për t’iu qasur themelimit të Odës dhe krijimit të vetëqeverisjes mjekësore, tha se kjo është një veti e burrështetasve që kanë një guxim, vizion dhe përgjegjësi për të bërë këtë.

Një raport për procesin e zgjedhjeve për Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës, e ka prezantuar Dr. Hysni Bajrami, kryetar i Grupit punues për hartimin e Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, i miratuar në muajin maj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në bazë të së cilit krijohet Oda e Mjekëve të Kosovës, si një organizatë e pavarur që mbron dhe prezanton interesat profesionale të komunitetit të mjekëve të Kosovës.
Profesor Bajrami tha se procesi i zgjedhjeve të anëtarëve për Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës ishte një model për zgjedhje të drejta, transparente dhe të suksesshme, të cilat mundësuan edhe inaugurimin e Kuvendit të Odës dhe krijimit të kushteve për zgjedhjen e kryetarit të saj.

Në një garë prej katër kandidatëve, që të gjithë specialistë të fushave të ndryshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës: Dr. Bedri Zaiti, Dr. Fadil Beka, Dr. Islam Krasniqi dhe Dr. Zylfije Hundozi, pasi rrethi i parë i votimit nuk dha fitues, u votua në rrethin e dytë, në të cilin dr. Zylfije Hundozi mori 70 vota, ndërsa i kualifikuari i dytë për balotazh, dr. Fadil Beka, mori 56 vota.
Paraprakisht, të katër kandidatët kanë prezantuar programin e tyre.

Pas zgjedhjes së saj, që u përshëndet nga të pranishmit dhe u urua edhe nga kundër-kandidatët, kryetarja e Odës së Mjekëve të Kosovës, dr. Zylfije Hundozi, tha se gjatë mandatit të saj në krye të këtij institucioni, ajo do të angazhohet për të avancuar pozicionin e mjekëve, zbatimin e përgjegjësive që Oda i ka bazuar në ligj dhe ushtrimin e të gjitha atyre përgjegjësive, të cilat do të mundësojnë që komuniteti mjekësor në Kosovë, të avancojë dhe interesat e tyre të avancohen, duke siguruar njëkohësisht edhe të drejtat e pacientëve dhe zbatimin e normave etike dhe profesionale në shëndetësi.

Në pjesën e pas-ditës ndërkaq, organizuar nga Shoqata Gjermane Mjekësore u mbajt trajnimi i dytë: Politika profesionale e Odës Mjekësore për anëtarët e Kuvendit të Odës ku u shpalosën shembuj dhe aspekte të themelimit të Odave Mjekësore në vende të ndryshme, vetëqeverisja mjekësore-përgjegjësia për pacientët dhe shoqërinë, hapat e mëtejmë pas inaugurimit të Odës Mjekësore të Kosovës dhe sfidat.

Procesit të inaugurimit të Odës Mjekësore në Kosovë i parapriu miratimi i Ligjit për Odën Mjekësore, mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve për anëtarët e Kuvendit të Odës më 17 tetor si dhe nxjerrja e Statutit dhe Rregullores për mbajtjen e zgjedhjeve për Odat Mjekësore në Kosovë.