Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Lansohet programi pilot i skriningut të kancerit cervikal në komunën e Prishtinës

Prishtinë 06 korrik 2016

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë,  Drejtoria për Shëndetësi të Komunës së Prishtinës dhe me mbështetjen e UNFPA-së,  OBSH-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, sot është bërë lansimi i projektit të Programit pilot të Skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prishtinës, program ky që do të bëhet për herë të parë në Kosovë si pjesë e Programit Nacional për Kontroll të Kancerit në Kosovë.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, dr.  Izet Sadiku, vlerësoi se projekti është hap i rëndësishëm që do të shërbejë si model në krijimin dhe implementimin në tërësi të skriningut të kancerit të qafës së mitrës dhe Programit Nacional për Kontroll të Kancerit.

Ai tha se MSh do të sigurojë mjetet për vazhdimin e projekt dhe “beson se kapacitetet humane, fizike e profesionale të vendit, ofrojnë mundësi që kancerit të qafës se mitrës t’i kushtohet vëmendja e veçantë dhe zbatimi sistematik i programeve parandaluese do të mundësojë të rritet efikasiteti në diagnostikimin me kohë të rasteve, trajtimin e tyre korrekt sipas protokolleve,  duke arritur qëllimin që është shërimi, zgjatja dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të vendit”.

Dr. Arben Vitia, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale në Komunën e Prishtinës,  tha se “shëndeti i gruas është mjaft i rëndësishëm, andaj me këtë projekt synohet që të bëhen përpjekje maksimale në parandalimin dhe luftimin e kancerit, në këtë rast të kancerit të qafës së mitrës. Ai tha se ky projekt prek dimensionin social sepse të parat që do t’i nënshtrohen skriningut do të jenë gra me gjendje ekonomike më të vështirë; dimensionin edukues dhe dimensionin që projekti të zhvillohet edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Ne emër të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës,Dr. Ramadan Sopa tha se pilot projekti për skrining të kancerit të qafës së mitrës, synohet të parandalojë dhe trajtojë me sukses një problematikë shëndetësore të theksuar që prek të gjitha femrat në Kosovë.

Dr. Suzana Manxhuka-Kerliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë dhe kryetare e Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit tha se përfituese të këtij projekti do të jenë femrat në komunën e Prishtinës, ndërkohë që pas përditësimit të Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit, fokusi do të jetë në zhvillimin e programeve të skriningut edhe për kanceret e tjera, me qëllim final që të zvogëlohet incidenca nga këto sëmundje dhe ulja e vdekshëmrisë së popullatës nga sëmundjet malinje.

Në emër të Komitetit punues të projektit, Dr. Sebahate Lleshi, ka bërë prezantimin  e pilot-projektit të Skriningut të Kancerit të Qafës së mitrës për komunën e Prishtinës.

Me rastin e pilotimit, do të kontrollohen rreth 2.000 gra pa pagesë nga Komuna e Prishtinës, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda mjekësisë familjare në Prishtinë, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH (Kujdesit Parësor Shëndetësor) dhe KTSh (Kujdesit Tretësor Shëndetësor) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke qenë se Instituti i Patologjisë brenda QKUK-së është i vetmi laborator citologjik në sektorin publik në Kosovë.