Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ligji për Kontrollin e Duhanit ka ulur duhan-pirjen në mesin e të rinjve

Hulumtimit Gjithëpërfshirës rreth Duhanpirjes në mesin e të Rinjve (GYTS) që për herë të dytë realizohet në Kosovë nga IKSHP, me mbështetjen e OBSH-së dhe CDC, tregon se krahasuar me hulumtimin e parë të kryer më 2004, konsumimi i duhanit prej 6.7% sa ishte në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeçe më 2004, më 2016 ka rënë në 4.4%. Gjithashtu, duhan-pirja pasive prej 84% sa ishte në mesin e kësaj kategorie në ambiente të mbyllura më 2004, ka rënë ë 43.8% më 2016

Prishtinë, 16 qershor 2016

Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani u mbajt sot takimi i Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit.
Në këtë takim është raportuar për aktivitetet lidhur me zbatimin e këtij ligji, masat e reja për fuqizimin e tij dhe hapat e ardhshëm të institucioneve përgjegjësie për mbikëqyrjen dhe zbatimin e tij.

Ministri Rrahmani tha se ky ligj ka dhënë rezultatet të mira dhe inkurajuese, ndërkohë që vlerësoi se është konstatim i të gjithëve se mund të bëhet më shumë.
Në këtë aspekt, duke ju adresuar përgjegjësive të resorit që drejton, ai tha se Ministria është duke plotësuar legjislacionin sekondar, ndërkohë që ditë më parë ka themeluar edhe Grupin punues për hartimin e një Programi për Kontrollin e Duhanit, ku theksi do të bie në aktivitete që do ta ngrenë ndërgjegjësimin e publikut lidhur me efektet negative të duhan-pirjes.

Koordinatori Shtetëror për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, ka bërë një prezantim të aktiviteteve të raportuara nga institucionet që kanë përgjegjësi mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit, duke theksuar nevojën që disa prej tyre të përmirësojnë raportimin dhe, gjithashtu, të ketë involvim më të madh edhe të autoriteteve lokale në zbatimin e tij.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë ka paralajmëruar publikimin e Hulumtimit Gjithëpërfshirës rreth Duhanpirjes në mesin e të Rinjve (GYTS) që për herë të dytë realizohet në Kosovë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) me mbështetjen e OBSH-së dhe CDC (Qendrës për Kontrollin dhe Prevenimin e Sëmundjeve).
Ai tha se kur bëhet një krahasim i të gjeturave nga ky hulumtim del se krahasuar me hulumtimin e parë të kryer më 2004, GYTS II tregon se konsumimi i duhanit prej 6.7% sa ishte në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeçe më 2004, më 2016 ka rënë në 4.4%.

Gjithashtu, ekspozimi në tym duhani apo duhapirja pasive prej 84% sa ishte në mesin e kësaj kategorie në ambiente të mbyllura më 2004, ka rënë ë 43.8% më 2016.
Ajo që bie në sy në këtë hulumtim është se 94.3 % të nxënësve e përkrahin ndalimin e duhanit në vende publike, derisa ende mbetet shqetësues fakti se në pika të shitjes, edhe më tej vazhdon të jetë e lartë shkalla e të rinjve nën 18 vjeç që u shiten cigare.

Rezultatet komplete të GYTS II do të publikohen së shpejti në bashkëpunim me IKSHP-në si realizues i hulumtimit.

Në takim, pjesëmarrësit nga dikastere të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare kanë propozuar masa të ndryshme që për efekt final duhet ta kenë zbatimin më të mirë të ligjit, uljen e duhan-pirjes dhe parandalimin e interferimit të industrisë së duhanit në politikat e kontrollit të duhanit.