Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mantelbardhët fillojnë të vaksinohen

Për këtë kanë bërë të ditur drejtori i Klinikës Infektive Shemsedin Dreshaj dhe ai i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani.

Në takim u vlerësua se ka shenja se po tejkalohen hezitimet për marrjen e vaksinës dhe procesi pritet të intensifikohet ditëve në vijim.

Sa i përket situatës epidemiologjike në vend, krerët e IKSHP-së, kanë bërë të ditur se që nga 15 korriku deri më 30 nëntor, në këtë Institut janë raportuar 485 raste të dyshimta në grip dhe në Qendrën Kombëtare të Gripit janë diagnostikuar 154 raste pozitive në A H1N1, derisa, deri sot, janë raportuar 9 raste vdekjeje (exitus letalis). Në laborator janë konfirmuar edhe 30 raste pozitive në Influenza A (gripin sezonal).

Drejtori i Klinikës Infektive Shemsedin Dreshaj ka njoftuar se që nga e premtja është vërejtur një rënie e numrit të të hospitalizimeve në këtë klinikë dhe në 24 orët e fundit janë hospitalizuar 11 raste, apo më pak se ditët paraprake kur ka pasur nga 19, 21 dhe 22 raste.

Në këtë takim, Grupi, ka marrë vendim që në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të ketë shpërndarje të tjera të ilaçit Tamiflu, të cilin do të mund ta japin infektologët rajonalë dhe specialistët e Mjekësisë Familjare, sipas protokollit të mjekimit dhe sipas definimit të rastit të Gripit.

Në takim, është kërkuar që të vazhdojë raportimi i rasteve sipas vijave të hierarkisë, derisa Inspektorati Shëndetësor dhe ai Sanitar do të vazhdojnë të monitorojnë zbatimin e masave preventive në institucionet shëndetësore dhe ato shkollore të vendit që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjshmërisë dhe dezinfektimit.

Ministria e Shëndetësisë u bën sërish thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të respektojnë këshillat preventive dhe që në shenjat e para të dyshimta në grip, ta kërkojnë ndihmën mjekësore të mjeku më i afërt, sidomos kur vërejnë temperaturë të ngritur mbi 38. 5 shkallë.