Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mbahet Forumi i parë kroato -kosovar në shëndetësi

Ministrat Imet Rrahmani dhe Siniša Varga shprehën përkushtimin për ringjalljen e bashkëpunimit midis dy vendeve në shëndetësi duke shfrytëzuar edhe traditën nga e kaluara

Prishtinë, 13 tetor 2015 

Kosova dhe Kroacia do ta ringjallin bashkëpunimin në shëndetësi, ndërsa përfitues të kësaj do të jenë sistemet shëndetësore të dy vendeve dhe qytetarët.

Kështu u tha sot pasdite në Forumin e parë kosovaro-kroat të shëndetësisë, të mbajtur në Prishtinë, me praninë e dy ministrave të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dhe Siniša Varga, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kroacisë.

Ata po kryesojnë delegacionet e larta shtetërore të dy shteteve në shëndetësi, të cilat bashkë me profesionistë shëndetësor të dy vendeve po diskutojnë për modelet e bashkëpunimit të ardhshëm midis dy shteteve.

Në hapjen e këtij Forumi, Ambasadori i Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, tha se Kroacia është e interesuar që të sjell shëndetësinë e saj në Kosovë përmes “dyrve të mëdha”, me qëllimin që të ndihmohet shëndetësia kosovare, duke marrë për model edhe përvojën kroate, ndërkohë që fokusi do të jetë në ndihmesën për Kosovën në fushën e specializimit të kuadrove të saj në Kroaci, që pastaj përvojën e fituar ta sjellin në vendin e tyre.

Në këtë aspekt, ai përmendi përvojën nga e kaluara kur numër i madh i studentëve nga Kosova kanë studiuar në Kroaci, ndërsa më pas janë kthyer në Kosovë për të zhvilluar vendin e tyre.

Ministri Imet Rrahmani tha se ky nuk është një fillim i një bashkëpunimi, por vazhdim i traditës së mirë të cilën në ta kaluarën e kanë pasur dy shtetet.

“Falënderojmë shtetin kroat për mundësinë e ofruar për bashkëpunim, ndërsa qëllimi ynë është që t’i eksplorojmë këto mundësi ashtu që sistemi ynë shëndetësor të avansojë drejt arritjes së standardeve evropiane në shëndetësi, në të cilin drejtim, Qeveria e Kosovës e ka bërë hapin e parë duke e kthyer vëmendjen nga shëndetësia dhe duke e bërë atë prioritet”, tha Ministri Rrahmani.

Ministri tha se reforma shëndetësore në Kosovë është e orientuar drejt qëllimit për sigurimin e qasjes së barabartë në ofrimin e shërbimeve dhe eliminimit të pabarazive, ndërkohë që tre objektivat kryesore të MSH-së janë: themelimi i Fondit publik të sigurimeve shëndetësore; funksionalizimi i sistemit elektronik të Sistemit të Informimit Shëndetësor dhe funksionalizimi i Odave të Profesionistëve Shëndetësor. Gjithashtu, Ministri Rrahami ka përmendur edhe angazhimet në arritjen e shkallës së lartë të vaksinimit; edukimin shëndetësor, promovimin e jetës së shëndetëshme, fuqizimin dhe përmirësimin në sektorin farmaceutik, fuqizimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor, etj.

Ministri  Siniša Varga falënderoi për pritjen e ngrohtë që i është bërë në Kosovë dhe i vlerësoi takimet me profesionistët shëndetësor dhe autoritetet shëndetësore, për të cilat tha se treguan entuziazëm për reformat në shëndetësi.

Ai tha se kur shikohen sistemet shëndetësorë ato dallojnë prej vendit në vend siç dallon Kosova me Kroacinë; Kroacia me Slloveninë; Sllovenia me Austrinë; Austria me Suedinë e kështu me radhë, por theksoi, se ” jemi jo për t’u frikësuar nga dallimet, por për të punuar dhe ofruar më të mirat për qytetarët tanë, duke përdorur në mënyrë sa më optimale resurset financiare e njerëzore në dispozicion”.

“Ne jemi në Kosovë për të ofruar bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe bashkëpunimin do ta strukturojmë përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit, ashtu që t’i shfrytëzojmë si është më së miri resurset tona”, tha Ministri Varga. Ai ka shprehur edhe një herë gatishmërinë e shtetit kroat për ta ndihmuar konkretisht shëndetësinë kosovare.

Më pas, përfaqësues të fakulteteve respektive, odave të profesionistëve shëndetësor, instituteve të shëndetësisë publike dhe institucioneve private shëndetësore, kanë prezantuar mundësitë e tyre duke diskutuar për çështje profesionale shëndetësore dhe të bashkëpunimit midis dy shteteve në këto fusha.