Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mbahet nesër Ecja 2010 kundër kancerit

Me qëllim të mobilizimit të opinionit për Ecjen e së shtunës dhe sensibilizimin për vetëdijesim për preventivë dhe luftë kundër kancerit, në Ministrinë e Shëndetësisë është mbajtur sot një konferencë për media, e partnerëve në organizimin e Ecjes 2010.

Znj. Nafije Latifi, drejtoreshë e “Jeta-Vita”, tha se në Kosovë ka shumë nevojë për një vetëdijesim më të fuqishëm në luftën kundër kancerit dhe në këtë rrafsh , qendra që ajo drejton është mundur bashkë me partnerët që të ndihmojë sa më shumë që është e mundur.

Dr. Faik Hoti, drejtor i Departamentit të Informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ka theksuar se me gjithë vështirësitë e ndeshura , Ministria do të sigurojë aplikimin e radio-terapisë në sektorin publik dhe me qëllim të funksionalizimit të Institutit të Onkologjisë do të angazhojë një ekspert me përvojë ndërkombëtare, ashtu që  përfundimisht të kompletohen hallkat e trajtimit të sëmundjeve malinje në Kosovë.

Dr. Mejreme Krasniqi-Maloku, onkologe në QKUK, tha se MSh ka siguruar një furnizim të mirë me citostatikë, por ka ende nevoja që të plotësohen kërkesat e të gjithë pacientëve që trajtohen me kimioterapi, ndërkohë që u theksua se ka indikacione për rritje të shifrave të prekurve nga kanceri, por që statistikat zyrtare do të mund të dihen pasi të jetësohet një sistem i informimit shëndetësor.

Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Departamentit për Rini, Kulturë e Sport në Komunën  e Prishtinës,  tha se ky aktivitet është përkrahur nga Komuna, që ka ofruar edhe përkrahje logjistike dhe në disa aktivitete artistike në realizimin së më të mirë të Ecjes 2010.

Në Ecjen kundër kancerit që nis nesër në orën 12:00 te Teatri Kombëtar i Kosovës në kryeqytet pritet të marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, Sekretari Permanent i MSH-së, dr. Ilir Tolaj, si dhe aktivistë , figura të jetës publike e artistike dhe qytetarë të Kosovës.