Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mbahet simpoziumi “Prezantimi i mirëqenies së stafit dhe menaxhimit të stresit në shërbimet publike shëndetësore në Kosovë”

Prishtinë, 5 qershor 2014

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani morri pjesë në simpoziumin e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe “Antares Foundation”, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, me temën: “Prezantimi i mirëqenies së stafit dhe menaxhimit të stresit në shërbimet publike shëndetësore në Kosovë”.

Ministri Agani tha se qëllimi i këtij programi është para se gjithash human, ngase si objektiv i saj është ngritja e kapaciteteve psiko-sociale për t’u vënë në shërbim të personave që kanë përjetuar ngjarje traumatike, si pasojë e humbjeve të personave të dashur, por edhe viktimave të torturave.

“Vështirësitë që mund të ketë ky program natyrisht se janë prezente, por  bashkëpunimi dhe mbështetja e vazhdueshme e miqve tanë ndërkombëtar në këtë aspekt, ka qenë i kënaqshëm dhe i mirëseardhur. Ngritja e nivelit të ofrimit të këtyre shërbimeve për personat e atakuar me ngjarje traumatike, ka qenë në fokus para 12 viteve, i realizuar tani me përkushtimin e dr. Feride Rushiti dhe Qendrës që udhëhiqet prej saj”, shtoi ministri Agani.

“Esenca e këtij programi duhet të jetë shkëmbimi i përvojave me ekspertët ndërkombëtarë. Pra, mësimet që janë nxjerr nga ky program të jenë në shërbim të qytetarëve të vendit, por edhe të vendeve me nevojë për profesionistët e trajnuar gjatë pesë viteve të programit”, tha Agani

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, paraqiti të arriturat e projektit, të cilat tha se janë të kënaqshme si “ngritja e vetëdijes për menaxhimin e stresit tek menaxherët dhe stafi që punon në Kujdesin Primar Shëndetësorë -KPSH, rritja e njohurive për menaxhimin e stresit, integrimi i stafit dhe menaxhimi i stresit në politikat ekzistuese të burimeve njerëzore në sektorin e KPSH-së dhe zhvillimi dhe zbatimi i një kurrikule të moduleve dhe kurseve themelore për stafin e KPSH-së”, tha drejtoresha e QKRMT-së.

“Fondacioni Antares” dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve nga Tortura “QKRMT” në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë s-ë Kosovës, aktualisht janë duke e zbatuar një program të integruar për ngritjen e kapaciteteve psiko-sociale për profesionistët shëndetësor që punojnë në shërbimet e Kujdesit Primar Shëndetësor KPSH, përmes një Marrëveshjeje të bashkëpunimit pesë vjeçar me Qendrën për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve CDC, e cila ka filluar në shtator të 2009 dhe do t’i dorëzohet zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë në shtator të këtij viti.