Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Mbahet takimi i parë i Grupit Punues për përditësimin e Listë së Barnave Esenciale

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, mori pjesë sot në takimin e parë të Grupit Punues për përditësimin e Listës së produkteve dhe materialit shpenzues, e njohur si Lista e Barnave Esenciale.
Duke qenë një nga aktivitetet më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministri Latifi theksoi se pandemia COVID-19 dhe zhvillimet e hovshme në fushën e mjekësisë dhe farmaceutikës na obligojnë të përditësojmë Listën e Barnave Esenciale dhe se që çdo produkt që do të përfshihet duhet ta argumentojë rëndësinë për shëndetin publik, efikasitetin klinik, sigurinë, qasjen në sigurimmin e tij dhe kosto-efektivitetin.
“Qytetarët dhe pacientët presin që Lista e re të zgjerojë mundësitë e tyre për terapi të reja dhe adekuate, që do të përmbushin ato zbrazëtira që për ta kanë kuptimin e sfidave apo vështirësive për të pasur terapinë që u duhet”, tha Ministri Latifi, gjersa nga secili anëtar i Komitetit dhe nënkomiteteve përkatëse kërkoi përgjegjësi maksimale, kompetencë profesionale dhe integritet, me qëllimin kryesor që në këtë Listë të përfaqësohen ekskluzivisht interesat e pacientëve.
Ministri Latifi përfundoi fjalën e tij duke thënë se kjo listë, që do të shoqërohet edhe nga Ligji për përcaktimin e çmimeve të produkteve mjekësore, që Ministria e ka finalizuar dhe do ta dërgojë në Qeveri e Kuvend për miratim, do të jetë lehtësim për punën e profesionistëve shëndetësor, do ta rris satisfaksionin e pacientëve me shërbimet shëndetësore.